Vendosni fjalën kyçe....

Dita Botërore e Mjedisit, Meta: Inkurajoj institucionet e BE-së të përkrahin kauzën, ta shpallim Vjosën “Park Kombëtar”


Presidenti i vendit Ilie Meta, ka rikthyer në vëmendje çështjen e Lumit të Vjosës, që aktivistët kërkojnë që ta kthejnë në Park Kombëtar në të gjitha degët e tij.

Meta thotë se përshëndet punën e realizuar nga një grup shkencëtarësh nga disa vende të BE-së si dhe nga Shqipëria, për kontributin që kanë dhënë në promovimin e vlerave të rralla ekologjike të Vjosës.

Kreu i shtetit shqiptar inkurajon autoritetet e larta të BE-së që ta përkrahin fuqimisht kauzën.

“Në Ditën Botërore të Mjedisit theksoj me forcë rëndësinë e shpalljes së Vjosës, Park Kombëtar, në të gjitha degët e lumit, me qëllim mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore të jashtëzakonshme kombëtare dhe europiane.

E përshëndes punën studimore të realizuar së fundmi prej një grupi shkencëtarësh nga Austria, Gjermania, Italia dhe Shqipëria, si dhe i vlerësoj konkluzionet dhe kontributin e tyre të vyer për evidentimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të rralla ekologjike të lumit Vjosa.

Mbështes thirrjen e tyre, të komunitetit lokal, të shkencëtarëve, akademikëve dhe të aktivistëve mjedisorë vendas e të huaj, të personaliteteve të filmit, artit dhe kulturës botërore, si Leonardo Di Caprio dhe Edëard Norton, drejtuar Qeverisë shqiptare, për të mos lejuar dhe për t’u tërhequr nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe çdo projekt tjetër shkatërrimtar dhe abuziv në këtë zonë.

I inkurajoj të gjitha autoritetet e larta të Bashkimit Europian të përkrahin fuqimisht kauzën, që na përket të gjithëve, duke risjellë në vëmendje edhe rezolutën e Parlamentit Europian për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

E DUAM VJOSËN DHE DO TA MBROJMË!”- shkruan presidenti Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *