Vendosni fjalën kyçe....

Daily Mail: Një vit pasi e sulmuan dhe tallën Donald Trump mediat liberale në SHBA bëjnë kthesë, thonë se Covid-19 mund të ketë dalë nga laboratori i Wuhan


Mediat liberale në SHBA më në fund kanë pranuar që Covid-19 mund të ketë origjinën në laboratorin e Wuhan të Kinës, një vit pasi u tallën gjatë me këtë sugjerim të bërë asokohe nga ish-presidenti amerikan, Trump.

Vdekja e parë nga Covid-19 u raportua nga media shtetërore kineze më 11 janar 2020, kur një 61-vjeçar i cili ishte një klient i rregullt në një treg në Wuhan vdiq. Rasti i parë i konfirmuar në SHBA ishte 10 ditë më vonë, kur një burrë u kthye në shtetin Uashington nga Wuhan.

Brenda një jave, më 26 janar 2020, u botua artikulli i parë që fajësonte Institutin e Virologjisë Wuhan për shpërthimin, në The Washington Times. Megjithatë, media tradicionale i kundërshtoi pretendimet, duke i hedhur poshtë plotësisht ose duke i dekoruar si raciste.

Kur Donald Trump, më 1 maj, 2020, tha se kishte ‘një shkallë të lartë besimi’ se virusi doli nga një laborator, New York Times, CNN dhe media të tjera liberale nxituan të talleshin me deklaratën e tij.

CNN, i cili deri në fund të administratës Trump qëndroi i palëkundur në armiqësinë e tij ndaj presidentit dhe këshilltarëve të tij, ishte gati i gëzuar duke u tallur me idenë se virusi mund të kishte ardhur nga një laborator.

Washington Post, New York Times dhe NPR ishin po aq mohues të këtyre sugjerimeve që virusi mund të kishte ardhur nga një laborator.

Disa media si Huffington Post, madje shënuan çdo sugjerim se virusi mund të kishte dalë nga një laborator si një ‘teori komploti toksike’.

Pak ishin në gjendje të sugjerojnë që Covid-19 mund të kishte dalë nga një strukturë kërkimore pa marrë mbi vete reagime të ashpra, por kjo nuk i ndaloi disa media, përfshirë Daily Mail, të vinin në dyshim narrativën.

Tucker Carlson i Fox News ishte gjithashtu i qartë në kërkimin e një hetimi nëse ai mund të kishte shpëtuar nga laboratori.

Më në fund, në muajt e fundit, erdhën shenjat e para që mendimi kishte filluar të ndryshonte.

Në janar, një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) shërbeu vetëm për të ngritur më shumë pikëpyetje pasi Pekini kontrolloi rreptësisht një vizitë në vend. Ekipi i OBSH-së u lejua vetëm tre orë brenda laboratorit të Wuhan dhe nuk ishte në gjendje të ekzaminojë ndonjë nga regjistrat e sigurisë së institutit Wuhan ose të dhënat e testimit në stafin e tij.

Veprimet e Kinës çuan nqë administrata Biden të kërkojë transparencë më të madhe.

Edhe Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, tha se vizita ishte jopërfundimtare, duke shtuar se ‘të gjitha hipotezat janë të hapura’ dhe kërkojnë studime të ardhshme.

Deri më 11 maj, eksperti kryesor i shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara, Dr Anthony Fauci, kishte pranuar që ideja se virusi kishe dalë nga laboratori ishte hedhur poshtë shumë shpejt.

I pyetur nëse virusi ka origjinën natyrshëm, Fauci u përgjigj se ai dëshiron ta shikojë më nga afër çështjen.

Megjithatë javët e fundit, përveç administratës Biden, edhe mediat liberale që dikur talleshin me propozimin e Trump se virusi kishte dalë nga laboratori i Wuhan kanë nisur t’i mëshojnë fort kësaj ideje duke e trajtuar si temë kryesore këtë çështje dhe duke sugjeruar se mundësia që Covid-19 të ketë dalë nga laboratori në Kinë është e madhe.

Megjithatë Pekini zyrtar e ka mohuar dhe vijon ta mohojë me forcë pretendimin e administratës Biden dhe mediave kryesore në SHBA.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *