Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna në Izrael-Gaza, Joe Biden bën thirrje për armëpushim


Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka shprehur mbështetjen e tij për një armëpushim pas tetë ditësh dhune midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza.

Biden i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se SHBA-të po punonin me Egjiptin dhe vendet e tjera për ndalimin e luftimeve.

Por SHBA bllokoi përsëri një deklaratë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për ndërprerjen e dhunës. Konflikti tani ka hyrë në javën e tij të dytë, dhe shumë pak gjasa ka të përfundojë.

Të paktën 212 njerëz, përfshirë 61 fëmijë, raportohen se kanë vdekur në Gaza. Ndërsa në Izrael numërohen 10 viktima, mes të cilëve dy fëmijë.

Izraeli thotë se shumica e të vrarëve në Gaza janë militantë dhe se çdo vdekje civile është e paqëllimshme.

Por Hamasi, grupi militant që drejton territorin, e kundërshton këtë.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, Biden “inkurajoi Izraelin të bëjë çdo përpjekje për të siguruar mbrojtjen e civilëve të pafajshëm”.

“Të dy udhëheqësit diskutuan përparimin në operacionet ushtarake të Izraelit kundër Hamasit dhe grupeve të tjera terroriste në Gaza.”- thuhet më tej në këtë deklaratë, citon BBC.

Presidenti Biden “shprehu mbështetjen e tij për një armëpushim dhe diskutoi angazhimin e SHBA-ve me Egjiptin dhe partnerë të tjerë drejt këtij qëllimi.”

Udhëheqësit botërorë dhe organizatat humanitare kanë bërë thirrje për marrjen e masave për të parandaluar vdekjet e banorëve dhe kaosin e krijuar nga shkatërrimi i ndërtesave dhe infrastrukturës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *