Fushata elektorale është mbyllur dhe sot pas orës 00:00 zyrtarisht ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore.
Kështu, sot përgjatë gjithë ditës dhe deri nesër në orën kur të mbyllet zyrtarisht votimi, nuk do të lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore, as përmes medies apo përmes mitingjeve apo veprimtarive të tjera politike.
Në të kundërt, partitë politike do të ndëshkohen nga KQZ-ja me një gjobë prej 500 mijë lekësh dhe mediet me 2 milionë lekë.
Më 25 Prill, qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme. Janë 3.588.869 shtetas shqiptarë me të drejtë vote, ndërsa 107.024 të rinj do të votojnë për herë të parë.
Partia Socialiste me në krye Edi Ramën kërkon mandatin e tretë qeverisës, ndërsa opozita kërkon të rikthehet në pushtet pas 8 vitesh.
Në këto zgjedhje, Partia Demokratike hyn në zgjedhje në një listë me partitë e vogla aleate, ndërsa ka firmosur edhe një koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në zgjedhjet e 25 prillit garojnë 1841 kandidatë për deputetë.
Në garë janë edhe disa parti të reja, si: Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit.
Fushata zgjedhore këtë javë është shoqëruar me një sërë incidentesh, ku pika kulminante u shënua me ngjarjen e Elbasanit ku një person humbi jetën.