Vendosni fjalën kyçe....

Meta: SPAK-u mund ta kishte parandaluar ngjarjen e Elbasanit, të zbardhet tani jo pas zgjedhjeve


Në konferencën e sotme për mediet, presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje institucioneve të hetojnë urgjentisht ngjarjen e Elbasanit ku humbi jetën Pjerin Xhuvani.

“Dje kam bërë publike qëndrimin tim lidhur me ngjarjen në Elbasan, edhe pse po mbushen 72 orë ende prokuroria dhe policia nuk kanë një version shterues. Kam ndjekur me vëmendje veprimet  për këtë ngjarje që meriton të zbardhet urgjentisht.  Dhe të mos kemi asnjë ngjarje tjetër, me fyerje, jo më me vrasje e plagosje. E

dhe pse dje kam ngritur disa pyetje që kërkojnë përgjigje të shpejtë e të plota, prokuroria e policia duket se janë në një apati e nuk po veprojnë. Konstatoj se ka një vullnet të padukshëm për ta shtyrë pas datës së zgjedhjeve. Kjo ngjarje duhet të zbardhet urgjentisht sepse provat kanë qenë atje. Për ti thënë jo çdo lloj veprimi që përbën krim zgjedhor, përsëris pyetjet e mia për organet e zbatimit të ligjit.”– tha Meta ndërsa përsëriti pyetjet për institucionet ligjzbatuese.

Pasi rreshtoi pyetjet, Meta theksoi se SPAK-u dhe Prokuroria e Elbasanit e kanë patur vetë në dorë për të parandaluar ngjarjen e rëndë.

Kjo pasi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi kishte bërë një kallëzim penal për veprimtari të dyshimtë të personave që u përfshinë më vonë në ngjarjen e Elbasanit shumë kohë më parë.

Por SPAK-u ia transferoi çështjen Prokurorisë së Elbasanit e kjo e fundit vendosi ta thirrte Bardhin  për të dëshmuar pas zgjedhjeve e jo para. Duke e shtyrë për pas zgjedhjeve institucionet e hetimit sipas Metës po lejonin vjedhjen e votave dhe nuk parandaluan as incidentin që ndodhi më 21 Prill.

“Nëse SPAK do kishte vepruar në kohë, edhe ngjarja e Kavajës ku pati një të plagosur, por mund të kishte pasur shumë viktima dhe me ndihmën e Zotit u bllokua pistoleta, e kemi parë të gjithë gjakun në ato zyra… As ngjarja e Elbasanit nuk do kishte ndodhur.

Pse?

Tani ua them sepse në datën 7 Prill 2021 përfaqësuar nga Gazment Bardhi, PD ka paraqitur në SPAK një kallëzim penal. Sipas këtij materiali, PD i ka kërkuar SPAK-ut hetimin e dy personave që në angazhim të PS-së po kryenin vepra penale. Nëse do të shikoni cilët janë emrat në kallëzimin e PD-së, do shihni se janë të gjithë ata të përfshirët në ngjarjen e Elbasanit.

SPAK-u vetëm pas 8 ditësh, ia ka transferuar Prokurorisë së Elbasnait. Iu deshën tetë ditë vetëm për ta përcjellë për hetime, ishte e qartë se duhej hetuar nga SPAK-u. Më e turpshme është se ka hyrë në Prokurorinë e Elbasanit më 19 Prill. Kështu thotë shkresa e Prokurorisë së Elbasanit më 20 Prill. Pra iu janë dashur edhe katër ditë të tjera për ta protokolluar.

Prolkuroria e Elbasanit, 3 ditë para se të ndodhte hataja ka njoftuar zotin Gazment Bardhi për të dhënë shpjegime duke i caktuar të paraqitej në Prokurori më 30 Prill, pra pas zgjedhjeve. Pra pasi të ishin vjedhur votat. Duket qartë se SPAK dhe Prokuroria e Elbasanit kanë bërë çmos që mos hetohen para fushatës.

Nëse do ishte hetuar ky kallëzim në kohë ngjarja e 21 Prillit nuk do kishte ndodhur. Kjo ishte e vërteta e SPAK-ut.”- tha Meta.