Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Peleshi zbulon vendimin: Kontrollorët e Rinasit do të zëvendësohen me shqiptarë apo të huaj


Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka deklaruar se do të merret çdo masë për të rinisur sa më parë puna në Rinas, pas grevës së kontrollorëve të trafikut ajror.

Në një intervistë për emisionin “7 pa 5”, ministri Peleshi tha se ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është autorizuar për të bërë zëvendësimin e kontrollorëve.

 “Dua të bëj me dije për herë të parë në media diçka. Ministri i Mbrojtjes është edhe drejtues i Komitetit të Mbrojtjes Civile dhe kam thirrur në orët e vona një takim të Komitetit të Mbrojtjes Civile. Ky Komitet i përbërë nga disa ministra, ka marrë një vendim me tre pika.

Pika e parë ngarkon ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, qoftë me të huaj, qoftë me vendas; të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës.

Nuk mund të rrimë në vend, nuk mund të ngelemi peng i lojës politike, do të kryej deri në fund detyrën time si ministër, nisur nga rezultati i këtij Komiteti, ministrja Balluku ngarkohet për të bërë gjithçka për të rifilluar punën. Njerëzit kanë shumë pikëpyetje kur do të vijnë, kur do të ikin, priten vaksinat, e kemi vlerësuar si një kërcënim për Mbrojtjen Civile dhe kemi marrë këtë vendim.”– deklaroi Peleshi.

Ditën e djeshme raportuam se qeveria shqiptare kishte hyrë në negociata për zëvendësimin e punonjësve të kontrollit të cilët kanë hyrë në grevë, me punonjës të certifikuar nga Turqia për kontrollin e hapësirës ajrore.

Qysh prej ditës së djeshme, fluturimet në Rinas janë pezulluar për shkak të kësaj proteste të kontrollorëve të cilët kundërshtojnë uljen e pagës prej pandemisë.