Vendosni fjalën kyçe....

Meta përkujton Sabri Godon dhe përmend indirekt simbolikën e referendumit të Partisë së Lirisë


Ish-presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot shkrimtarin dhe politikanin e ndjerë Sabri Godon, në ditën e lindjes së tij.

Mes rreshtash Meta kujton se Godo ka qenë bashkëkryetar i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, e cila garanton Referendumin. Ai thekson se synimi i Partisë së Lirisë që drejtohet nga ai, ka si objektivin më madhor pikërisht realizimin e referendumit.

“Sot më 8 gusht përkujtojmë ditën e lindjes së politikanit dhe shkrimtarit të paharruar, Sabri Godo.

Një mik i çmuar, i cili si Bashkëkryetar i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, dha një kontribut të vyer dhe bëri një punë të jashtëzakonshme, bashkë me z.Arben Imami, për realizimin në vitin 1998 të asaj Kushtetute të mrekullueshme, për mbrojtjen e së cilës nuk do të ndalemi në asnjë moment.

Është ajo Kushtetutë, që garanton Referendumin, realizimi i të cilit sot është objektivi më madhor i Partisë së Lirisë.

Sot të gjithë e kanë kuptuar se ndërhyrjet e nxituara, të papjekura dhe të pakonsultuara ndaj Kushtetutës kanë asgjesuar llogaridhënien dhe mirëqeverisjen në çdo nivel.

Sot Shqipëria vuan një krizë politike, ekonomike dhe shoqërore. Në këtë situatë mungesa e urtësisë, mençurisë dhe vizionit të Sabri Godos ndihet edhe më shumë.”– shkruan Meta.

Kujtojmë se Meta, pas largimit nga Presidenca dhe marrjes së drejtimit të Partisë së Lirisë, ka artikulluar se e sheh referendumin si fokusin kryesor të aksionit të tij politik.