Ambasadori i Mianmarit në Londër është nxjerrë jashtë nga ambasada e vendit, me sa duket nga zëvendësi i tij, i cili ka marrë përgjegjësinë në emër të ushtrisë. Sipas BBC-së, ai e ka kaluar natën në makinë.
Ushtria e Mianmarit mori pushtetin në një grusht shteti në 1 shkurt, duke shkaktuar javë të tëra protestash dhe përshkallëzuar dhunën në shtetin aziatik.
Ambasadori i Londrës Kyaw Zwar Minn kishte kundërshtuar juntën ushtarake në pushtet, duke kërkuar lirimin e udhëheqëses së burgosur Aung San Suu Kyi.
“Më kanë lënë jashtë.”– tha ai për Reuters përpara ambasadës në Londrën qendrore.
“Është një lloj grushti shteti, në mes të Londrës… ju mund të shihni se ata po pushtojnë ndërtesën time.”– tha ai, duke shtuar se po fliste me Zyrën e Jashtme të Britanisë për situatën.
Sipas medieve britanike, zëvendësambasadori Chit Win kishte marrë detyrën e çështjeve të punës dhe ai dhe atasheu ushtarak e kishin lënë ambasadorin jashtë ndërtesës.