Vendosni fjalën kyçe....

Meta për zjarrin në qendrën tregtare: Institucionet të ndërpresin aktivitetet politike, t’u kërkojmë ndihmë vendeve partnere nëse s’kemi kapacitete


Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar në lidhje me zjarrin që prej dy ditësh ka përfshirë magazinën e një qendre tregtare në hyrje të Tiranës.

Meta u bën thirrje institucioneve shtetërore të ndërpresin aktivitetet politike dhe të marrin sipas tij përgjegjësitë e tyre që i takojnë me ligj.

“Alarm për institucionet shtetërore!
Prej pasdites së 24 marsit 2021, një tragjedi e vërtetë po ndodh vetëm 3 km larg nga qendra e Tiranës, në ambientet e një biznesi privat, të përfshirë nga flakët, që ende nuk janë shuar.

Sipas të dhënave paraprake një qytetar, me detyrën Përgjegjës i Sigurisë, dyshohet edhe për një shtetas të dytë, kanë mbetur të bllokuar në magazinat e katit të nëndheshëm, ndërkohë që dëmi pasuror i biznesit llogaritet në shifra tepër të larta.
Duke shpresuar, që kjo ngjarje e rëndë të marrë fund me sa më pak pasoja, u bëj thirrje drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, strukturave të Mbrojtjes Civile dhe në veçanti Shërbimit Zjarrfikës të ndërpresin aktivitetet politike, të marrin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit dhe të kryejnë me përgjegjshmëri të lartë detyrën e tyre.
T’u kërkohet ndihmë vendeve partnere nëse ne nuk i kemi kapacitet për ta menaxhuar këtë situatë, por qëndrimi duarkryq është i papranueshëm dhe i dënueshëm.
U bëj thirrje të fortë institucioneve shtetërore të reagojnë sa më parë për t’i dhënë zgjidhje të menjëhershme kësaj situate tepër të rëndë dhe me pasoja tepër serioze!”-shkruan presidenti Meta.

Nga zjarri që prej dy ditësh ka përfshirë qendrën tregtare, rezulton i zhdukur një 33-vjeçar i quajtur Arjan Sala i cili është shefi i Sigurisë. Ndërkohë në disa medie ka patur zëra se edhe një person i dytë ka humbur pas incidentit, por ende nuk ka asgjë të konfirmuar.

Shërbimi i Zjarrfikëses thotë se po bëjnë gjithçka është e mundur, por familjarët e Salës janë shprehur të revoltuar pasi ndjejnë që po e humbasin të afërmin e tyre për shkak se zjarrfikësit nuk kanë mjetet e duhura për të kryer detyrën.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *