Vendosni fjalën kyçe....

Rama dhe Veliaj e inauguruan në dhjetor, shtëpia në Farkë të Vogël dëmtohet për tre muaj


Në dhjetor të 2020-ës kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i dorëzuan çelësat e shtëpisë së re zonjës Aldie Bali në Farkë të Vogël.

Gjatë inaugurimit, kamerat që shoqëronin Ramën e Veliajn treguan pamjet e goditës së sapondërtuar, pasi familja e kishin humbur të parën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Mirëpo tre muaj më pas, kjo banesë nuk ofron të njëjtat pamje që dikur na servirën Rama dhe Veliaj, duke ngritur dyshime të forta mbi cilësinë e rindërtimit të banesave.

Në një prononcim për televizionin “Ora News”, zonja e shtëpisë tregon se dyshemeja mbulohet nga lagështia, ndërsa shkallët janë krisur.

“Duhet të ishte mbushur me granil, kjo ka vetëm mbetje që hidhnin nga sovatimi. A ka granil këtu?”– shton më tej ajo duke treguar muret.

Zonja Bali tregon se si muret janë mbushur me polisterol, material që përdoret për termoizolim. Por për banesën e saj kjo nuk është përdorur dhe ajo është ankuar në njësinë administrative.

 “Është tulla, buka e peshkut dhe sovatimi.Kam qenë në komunë dhe i kam thenë administratorit, më ka thënë do ta rregullojmë. Në dhjetor kemi hyrë, deri sot asgjë nuk është bërë.”- shprehet ajo.

Zonja tregon se kur bie shi, në banesën e saj ka hyrë uji ndërsa kërkon përgjigje nga shteti:“Ka pas, më ka hyrë uji në shtëpi. Me ra shi kush mban përgjegjësi për jetën e familjes sime kur shembet kjo shkalla këtu?”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *