Vendosni fjalën kyçe....

Gjibraltari, vendi i parë në botë që vaksinon gjithë popullatën kundër Covid-19


Gjibraltari bëhet kombi i parë në botë që vaksinon plotësisht popullatën e tij në moshë të rritur.

Territori i administruar nga Britania, është shtëpia e 33,000 njerëzve dhe ka pasur 4,263 raste me Covid-19 si dhe 94 vdekje.

Ministri britanik i Shëndetësisë Matt Hancock zbuloi se territori arriti të vaksinonte tërësisht popullatën ditën e mërkurë.

“Unë jam i kënaqur që mund t’ju them se dje, Gjibraltari u bë kombi i parë në botë që përfundoi të gjithë programin e tij të vaksinimit për të rriturit.”- tha Hancock ditën e enjte, citojnë mediet britanike.

Kryeministri i Gjibraltarit Fabian Picardo falenderoi qeverinë e Britanisë së Madhe për mbështetjen që ka dhënë në vaksinimin e ishullit.

Ai tha: “Ne e kemi ndjerë mbështetjen e vërtetë të Mbretërisë së Bashkuar në sigurimin e Pajisjeve për Mbrojtjen e Personelit, testimin dhe garancinë sovrane për shpenzimet tona Covid. Por, ndoshta, më e rëndësishmja me sigurimin pa asnjë kusht për Gjibraltarin të vaksinës kundër Covidit në sasi që më mundëson të them sot se Gjibraltari do të jetë kombi i parë që përfundon një program të vaksinimit të një kombi të tërë.”

Suksesi i Gjibraltarit vjen mes kaosit të vaksinave me të cilën po përballet Spanja fqinje dhe pjesa tjetër e Evropës.

Problemet e furnizimit, sistemet burokratike shëndetësore dhe grumbullimet e dozave të papërdorura të AstraZeneca e lanë BE-në të lëngojë pas Britanisë në garën e vaksinave.