Vendosni fjalën kyçe....

“Ruhuni nga Meta” – Presidenti i përgjigjet Ramës: S’pranoj rekomandime nga ai që dihet se si është sjellë me gratë dhe vajzat


Në deklaratën e sotme për mediet nga sheshi Nënë Tereza, ku po mbështeste aktivistët për mbrojtjen e lumit Vjosa, presidenti Ilir Meta dha edhe një përgjigje për kryeministrin Edi Rama.

Kjo për deklaratën e këtij të fundit që “Gratë dhe vajzat shqiptare duhet të ruhen nga harbutëria e Ilir Metës dhe Sali Berishës”.

Meta u shpreh se deklarata e Ramës është “qesharake”, duke patur parasysh sjelljen e tij me gratë dhe se ka si synim vetëm të spostojë vëmendjen e tij nga plani i vërtetë, që sipas presidentit është “vënia” dorë mbi zgjedhjet.

 “Nuk është ankuar ndonjë gazetare për prekje me dorë nga Ilir Meta dhe jo vetëm kaq, por përkundrazi, ju e dini se sa i durueshëm dhe i respektueshëm kam qenë me të gjitha ju.

Ju e dini kush bën presione ndaj gjithë gazetareve dhe gazetarëve, të cilët bëjnë pyetje që nuk kanë kaluar më parë nga zyrat e propagandës apo pronarët e medieve të cilët të detyruar nga presionet e mëdha që kanë porosisin pyetje.

Gjithmonë kemi qenë shumë bashkëpunues dhe sigurisht mund të kemi vend për përmirësime në sjelljen me gratë, vajzat, nënat dhe do bëj më të mirën në këtë drejtim, por kur rekomandime të tilla vijnë nga një person që dihet se si është sjellë me to, është sa qesharake, një përpjekje për të spostuar vëmendjen nga plani i vërtetë që është ai për të vënë dorë përsëri mbi zgjedhjet.

E kam thënë dhe e përsëris se kjo gjë do marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe Shqipëria do shkojë drejt zgjedhjeve të lira dhe vullneti i popullit do lexohet ashtu siç është realisht.

Nuk ka sondazh të blerë, plan djallëzor e as plan monstruoz që do deformojë vullnetin e popullit shqiptar. Ndryshimi që ka ndodhur në Shqipëri është i jashtëzakonshëm, në kuptimin e vullnetit për ndryshim. Revolta për dhunimet që i janë bërë Kushtetutës është e jashtëzakonshme dhe në themelet e pluralizimit politik është vetëm vota e lirë e çdo qytetari të Shqipërisë, që nga presidenti deri tek qytetari më i thjeshtë në Konispol dhe ky është i vetmi angazhim i presidentit. Shqetësimi për tonet e presidentit nuk duhet të ekzistojë sepse është vetëm një manovër propagandistike për të mbuluar atë të vërtetë që është kapitullimi i shtetit të së drejtës për shkak të kapjes totale të shtetit.

Sepse nëse do funksiononte shteti i së drejtës, ata persona që prompvuan dhunën ndaj një partie të ligjshme në prag të zgjedhje, padyshim sot do ishin marrë në vepër penale të paktën për ‘shpërdorim detyre’.

Në një vend ku ekziston shteti i së drejtës, këto zgjidhen ose me marrëveshje ose në gjykatë sikurse ishte përcaktuar. Të ushtrosh dhunë me personat civilë edhe në prezencë të presidentit të Republikës, tregon se kemi të bëjmë me një bandë që kërkon të nënshtrojë çdo institucion. E kam thënë se Presidenca është një kala e papushtueshme e demokracisë dhe në një shtet ku të gjitha institucionet e tjera janë të kapura nga partia shtet. Duhet të keni të qartë se falë qëndresës së presidentit dhe së popullit heroik të 2 marsit që është dhjetëfishuar sipas të dhënave që disponoj, do të rivendoset demokracia në të gjitha institucionet që shikoni këtu në ‘Bulevardin Dësgmorët e Kombit’, kshu që ju falenderoj edhe njëherë dhe do jem gjithmonë i hapur për pyetjet dhe vërejtjet tuaja.”– deklaroi presidenti Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *