Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthen dhuna në periferi të Athinës/ Protestuesit të pamëshirshëm me policët pas rastit të qytetarit të dhunuar


Athina u shndërrua për disa orë mbrëmjen e kaluar në një zonë lufte, ku grupe protestuesish me kapuç filluan të sulmonin policinë me zjarr dhe me gurë dhe kryen disa akte vandalizmi.

Sipas gazetës greke Ekathimerini, protestuesit sulmuan brutalisht një polic me motor, duke e plagosur rëndë. Disa nga kolegët e tij formuan një rreth rreth tij për ta mbrojtur derisa arriti një ambulancë për ta transferuar në spital.

Sulmuesit kishin marrë pjesë më herët në një tubim ku morën pjesë 5 mijë njerëz për të protestuar kundër dhunës së policisë. Kjo pas disa pamjeve virale që u shfaqën të dielën, ku disa oficerë policie shiheshin duke dhunuar një burrë në rrethin Nea Smyrni, në Athinë.

Sipas gazetës tjetër greke Protothema, policia ka vënë në pranga rreth gjashtëmbëdhjetë persona, ndërsa 11 persona të tjerë ishin shoqëruar por më pas janë lënë të lirë.

Sipas të dhënave zyrtare, dhjetë policë kanë mbetur të plagosur nga dhuna e mbrëmshme. Tre prej tyre mbeten të shtruar në spital pasi kanë pësuar disa fraktura, por për fat të mirë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Veçanërisht për policin e ekipit DRASI të përmendur në fillim të këtij shkrimi, i cili u plagos dhe qëndroi i mbuluar me gjak për më shumë se gjysmë ore, njoftohet se ai nuk ndodhet në gjendje të rëndë dhe pritet të shërohet së shpejti.

Më herët të martën, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis kishte akuzuar opozitën se kishte injoruar masat e vendosura për të kufizuar përhapjen e koronavirusit duke bërë thirrje për protesta, midis tensioneve të rritura që nga incidenti i së dielës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *