Vendosni fjalën kyçe....

Sot një vit më parë mbërriti zyrtarisht Covid-19 në Shqipëri (Çfarë ndryshoi brenda një viti)


Më 9 mars të vitit të kaluar, shqiptarët u zgjuan me lajmin se koronavirusi kishte mbërritur në Shqipëri, pasi dy persona babë e bir ishin të infektuar.

Pacienti zero u konsiderua 28-vjeçari Paulin Kola i cili kishte qenë në Firence dhe besohej se pas mbërritjes në Shqipëri, kishte infektuar dhe babanë Paulin Kolën.

Më pas ngjarjet ndoqën njëra-tjetrën, pasi vendosje të masave të para kufizuese në Tiranë, më pas në të gjithë vendin shtrëngim të masave, ku askujt nuk i lejohej të dilte nga banesa pa siguruar lejen në “e-albania”. Edhe pazarin qytetarët nxitonin ta bënin në fasha orare të caktuara, ku një grumbull i madh njerëzisht mblidheshin para një kase në market apo para një kioske në të njëjtën kohë.

Vërshim informacionesh kontradiktore, lajme të rreme, raportime papushim për shtim të numrit të infektuarve, të numrit të vdekjeve, të zonave të kuqe. Debate mbi krijimin e spitaleve të dedikuara trajtimit të të sëmurëve me Covid, etj. Kështu kaluan muajt e parë të pandemisë.

Gjithçka u duk sikur ndryshoi brenda një viti. Qeveria tanimë mund të marrë vendime e të japë urdhra të papritura brenda natës, madje edhe firmosen marrëveshje të cilat mbahen sekret (i referohemi këtu marrëveshjes për vaksinat).

Tanimë mbajtja e maskës në rrugë është bërë diçka normale, kur muajin e parë të pandemisë vetë Rama bërtiste me të madhe duke u bërë thirrje shqiptarëve të mos boshatisin më kot farmacitë nga maskat e të “ruajnë lekët”.

Sot po u kape pa maskë, apo po organizove takime me mbi 10 veta ndëshkohesh me gjobë.

Vetëvrasjet e pacientëve me Covid-19

Më pas në verë kur dukej se situata po qetësohej, vjen lajmi tragjik se një pacient me Covid, një djalë i ri ishte vetëhedhur nga Spitali Infektiv në gjendje të rënduar psikologjike. Ngjarja tragjike ndodhi më 13 gusht 2020. E ajo çka e bën më të rëndë ngjarjen ishte se pas të riut Xhino Koça u vetëhodhën nga ballkoni i dy Spitaleve Covid edhe katër pacientë të tjerë

Këto ngjarje ngritën dyshime mbi atë se çfarë ndodh brenda spitaleve Covid, si po trajtohen pacientët, a këshillohen me psikologun… Prokuroria nisi hetimet, mirëpo ende pas kaq shumë muajsh nuk është nxjerrë gjë në dritë nga këto hetime.

  • Rasti i parë

Rasti i parë ndodhi më 13 gusht, kur një i ri në gjendje të rënduar psikologjike u hodh nga ky spital dhe fatkeqësisht ndërroi jetë. 29-vjeçari Xhino Koça ishte shtruar pasi ishte infektuar me koronavirus.

Xhino vinte nga një familje mjaft e njohur në Durrës. Ai ishte djali stilistes së VIP-ave, Lira Koça dhe kryetarit të Njësisë Administrative nr.2, Leonard Koça, si dhe nipi i humoristit të njohur Roland Koçës.

Ditë pas vdekjes së tij, mikesha e të riut Ingrid Kau tregonte se ndryshe nga sa u përshkrua Xhino Koça nga mediat, ai ishte mjaft miqësor dhe aspak i mbyllur në vetvete.

Por në ditët e tij të fundit kishte nisur të tregonte një sjellje më të distancuar me miqtë e tij për shkak të frikës dhe ankthit që e kishte kapluar në spital.

  • Rasti i dytë

Rasti i dytë ishte Hasan Mira, 65 vjeç, i cili më 2 shtator u hodh nga spitali “Shefqet Ndroqi” ku gjithashtu ishte shtruar me koronavirus.

Vetëvrasja e Mirës zbuloi se spitalet ku trajtohen të sëmurët me Covid, nuk e lejojnë përdorimin e telefonit celular nga pacientët, pasi ai vetë e përdorte celularin fshehtas pasi kishte paguar para për ta futur brenda.

Viktima i cili ishte vjehrri i deputetit Gjetan Gjetani, në një bisedë me mesazhe me fqinjin e tij, shprehej i tronditur nga ajo që ka parë në këtë spital. Por ai nuk e specifikonte se çfarë kishte parë.
Ai shprehej se nuk do të ishte shtruar kurrë nëse do ta dinte se çfarë ndodhte aty.

“Po ta dija se çfarë bëhet në spital, nuk do kisha ardh me u shtru… Shyqyr që jam mirë e mos ardhsha më në këtë vend. Po e mbyll telefonin se e mora për 5 minuta, nuk ma lënë më, më rri një person më vëzhgon te koka tani që po flas.” – i thoshte ai fqinjit.

  • Rasti i tretë

52-vjeçari Preng Gjonaj ishte prej gati një jave i shtruar në këtë spital, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar për shkak të COVID-19.

Pacienti nga Tropoja nuk duroi dot më dhe u hodh nga dritarja e dhomës së tij në katin e katërt.

Në këtë repart shtrohen pacientët rëndë. Dyshohet se vetëvrasja është kryer në kushte të rënduara psikologjike për shkak të koronavirusit, ndërkohë që Gjoni më parë nuk ka vuajtur nga probleme të shëndetit mendor.

  • Rasti i katërt

Ky rast ndodhi jo tek spitali “Shefqet Ndroqi”, por tek Spitali Infektiv. Pacienti 69-vjeçar i infektuar me Covid, Reshat Grembi u hodh nga dritarja e ballkonit të tij më 10 nëntor.

Ai u nda nga jeta mëngjesin e ditës tjetër. Vajza e Mirës ka akuzuar mjekët se nuk i kanë ardhur në kohë në ndihmë, duke zbuluar se i ati edhe pse ishte dërguar me urgjencë nga Fieri tek Infektivi në mesnatën e 8-9 nëntorit, ai ka pritur në autoambulancë deri në orën 8 të mëngjesit të së hënës, ka pritur për orë me radhë në korridoret e spitalit e vetëm në orën 18:00 ka marrë mjekim.

  • Rasti i pestë

Edhe ky rast përsëri tek “Shefqet Ndroqi”. Policia ka njoftuar më 30 nëntor se 60-vjeçari Leonard Skabona është vetëhedhur rreth orës 00:30 të mëngjesit nga dritarja e dhomës së tij tek spitali “Shefqet Ndroqi” dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Pacienti zero pas shërimit

 

Çfarë ka ndodhur me dy pacientët e parë me Covid në vendin tonë? Viktor Kola para vetëm pak muajsh ka dhënë një intervistë për “Tirana News”.

Ai ka treguar se nuk beson se ka qenë djali i tij “pacienti zero”, pasi vetë ka qenë i sëmurë përpara tij. Madje as vetë nuk beson të ketë qenë i pari me Covid në vendin tonë, pasi miq të tij kishin qenë të sëmurë përpara tij.

Ai thotë se nuk është ndjerë mirë me etiketimin si “pacienti zero”.

“Normalisht nuk u ndjemë mirë se djalit i thoshin pacienti zero ndërkohë që ai nuk ishte. Atë e kam infektuar unë dhe unë e kam marr pas shokëve të mi, e kanë thënë ata që e kemi pasur para Viktorit, po nejse, mua më ngeli. Shumë njerëz e marrin për turp dhe e mbajnë sekret, po kjo pandemi ka pushtuar gjithë botën, pavarësisht se unë nuk e vlerësoj shumë sepse nuk mund të flas më gjuhën e mjekësisë.”– shprehej zoti Kola në atë intervistë.

Për fat të mirë, ai dhe i biri e kanë kaluar mirë virusin dhe pas një viti vijojnë jetën normale.  Por jo të gjithë kanë patur të njëjtin fat.

Pesë mijë vdekje më shumë në 2020-ën

Përkundrazi, të dhënat e publikuara nga INSTAT-i muajin e kaluar, flasin për pesë mijë vdekje më shumë të regjistruara gjatë vitit të pandemisë.

Sipas INSTAT-it, në vitin që lamë pas janë shënuar gjithsej 27,605 humbje jete, me një rritje të ndjeshme prej 25.8%.

Kështu sipas përllogaritjeve, kanë humbur jetën 5,668 persona më shumë në 2020-n, në krahasim me vitin e mëparshëm. E kjo në një vit ku Pandemia duket se ka patur një rol të rëndësishëm edhe pse zyrtarisht si viktima të Covid-19 në vendin tonë janë raportuar deri më tani mbi 1 mijë e 900 viktima.

Vaksinimi

Sot tanimë i gjithë debati është përqendruar tek vaksinat anti-Covid. Procesi i vaksinimit në Shqipëri mbërriti zyrtarisht më 11 janar dhe mjekja Najada Çomo, njëherësh anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe tanimë edhe kandidate për deputete, ishte e para që u vaksinua.

Pas saj, i dyti ishte Edi Rama. Ata u vaksinuan pas mbërritjes së dozave të para të vaksinës së Pfizer-it në Shqipëri, të cilat u dhuruan nga një vend mik por që kryeministri Edi Rama refuzoi që ta zbulonte vendin. Në disa medie kanë qarkulluar dokumente të cilat tregojnë se ky vend është Gjermania.

Qeveria ka firmosur një kontratë me kompaninë farmaceutike “Pfizer”, ku vetëm për muajin janar janë blerë 10 mijë e 530 doza, duke paguar për një vaksinë 12 dollarë. Në total qeveria shqiptare ka nënshkruar blerjen e 499 mijë e 590 dozave.

Ndërsa vaksinimi vazhdon, kryeministri Rama ka deklaruar se brenda dy javëve të para të marsit do të sjellë përmes programit COVAX të OBSH-së, vaksinën AstraZeneca. Ai po ashtu thotë se është afër mbylljes së dy marrëveshjeve të tjera për sjelljen e vaksinave në Shqipëri.

Që nga fillimi i vaksinimit janë kryer gjithsej në vendin tonë deri më tani, 20 mijë 275 vaksinime./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *