Vendosni fjalën kyçe....

Po ktheheshin në shtëpi, vriten tre punonjëse të stacionit televiziv në Afganistan


Tre gra të cilat punonin për një stacion televiziv në qytetin afgan të Jalalabad janë qëlluar për vdekje. Duke iu referuar raporteve lokale, BBC shkruan se gratë, të moshës 18-20 vjeç, u vranë në dy sulme me armë, të koordinuar me njëri-tjetrin. Një grua e katërt ka mbetur e plagosur dhe ndodhet në gjendje kritike.

Policia afgane thotë se ata arrestuan sulmuesin kryesor, duke e lidhur atë me Talibanët. Mirëpo grupi mohon çdo përfshirje në lidhje me këto sulme.

Një valë vrasjesh ka tronditur Afganistanin me në shënjestër gazetarë, aktivistë dhe figura të tjera politike.

Të tre gratë e vrara kishin përfunduar së fundmi shkollën e mesme dhe kishin punuar në departamentin e dublimit të stacionit privat “Enikas TV”. Kështu tha kreu i televizionit, Zalmai Latifi.

Sipas Associated Press, Mursal Wahidi u sulmua nga persona të armatosur ndërsa po ecte për në shtëpi. Dy të tjerat, të cilat u identifikuan vetëm si Shahnaz dhe Sadia – u vranë në një incident tjetër, gjithashtu ndërsa po ktheheshin në shtëpi.

“Ato janë të gjitha të vdekura. Ato po shkonin në shtëpi nga zyra në këmbë kur u qëlluan.”– i tha Latifi agjencisë së lajmeve AFP.

Ndërkohë, Reuters raporton se një grua e katër ka mbetur e plagosur dhe ndodhet në spital duke luftuar për jetën.

Policia është ende në kërkim të sulmuesve të tjerë pasi arrestuan të dyshuarin kryesor. Shefi i policisë Nangarhar Juma Gul Hemat tha: “Ne e arrestuam atë ndërsa ai po përpiqej të largohej. Ai e ka pranuar që e kreu sulmin. Ai është një anëtar i Talibanëve.”

Një valë sulmesh të shënjestruara ka përfshirë Afganistanin pasi SHBA-të u tërhiqën nga vendi pas firmosjes së një marrëveshjeje me Talibanët një vit më parë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *