Vendosni fjalën kyçe....

Nga përplasja me armë mes bandave tre vite me parë te dy lirimet nga burgu, kush është viktima me tre mbiemra e atentatit në Vlorë


Një 31-vjeçar u ekzekutua me breshëri Kallashnikovi në mes të Vlorës. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën Transballkanike pranë Gjykatës së Apelit ndërsa viktimë mbeti i riu Taulant Beqiraj (Manaj, Gjika).

Ai u qëllua për vdekje teksa po ecte në trotuar ndërsa autori i dyshuar i vrasjes është Andi Ymeraj, i cili është ndaluar nga policia.

Viktima nuk është një emër i panjohur për policinë e qytetit bregdetar. Ai ka qenë i përfshirë në një përplasje me armë që ka ndodhur në Vlorë në 27 shkurt të vitit 2018.

Në këtë përplasje u përfshinë tetë rinj të armatosur me pistoleta e Kallashnikovë ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit mes tyre u plagosën tre persona, mes të cilëve edhe viktima e atentatit të sotëm, Beqiraj. Të plagosur gjatë përplasjes mbetën edhe Gazmir Canaj e Eris Llanaj, të cilë u dërguan në spital pas ngjarjes.

Taulant Beqiraj (Manaj, Gjika) është ndaluar dy herë nga policia por të dyja herët është lënë i lirë nga gjykata. Herën e parë ai u ndalua më 27 shkurt 2017 me akuzën ‘Vrasje me dashje e mbetur në tentativë’.

Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi me ‘arrest me burg’ por ajo e Apelit e la në ‘arrest shtëpie’, të cilin Beqiraj e theu. Zv.ministri i Brendshëm, Lamallari e kritikoi asokohe vendimin e gjykatës së Apelit në Vlorë.

Herën e dytë, viktima është ndaluar nga policia në datën 23 qershor 2018 pasi akuzohej për shkelje të masës së sigurisë, armëmbajtje pa leje e prodhim e shitje lëndësh narkotike.

Më 6 gusht 2018, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë e zëvendësoi masën arrest më burg në arrest shtëpie, edhe pse bëhej fjalë për një person përsëritës të veprave penale.

Manaj është arrestuar për herë të tretë më 11 mars 2019 si pjesë e operacionit të koduar ‘Befasia’ nga policia e Tiranës. Manaj u arrestua në Lagjen Ali Demi të kryeqytetit pasi ishte shpallur në kërkim nga policia e Vlorës. Nuk dihet sesi i riu ka arritur ta shohë veten sërish jashtë hekurave për herë të tretë derisa u ekzekutua sot.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *