Vendosni fjalën kyçe....

Pamjet në rrjet, çfarë thotë policia për rastin në Fushë-Krujë ku personat me maska dhunuan të riun brenda lokalit


Publikohen pamjet nga një incident i ndodhur dy ditë më parë në një lokal në Fushë-Krujë, ku disa persona të maskuar kanë hyrë të armatosur dhe kanë dhunuar një klient.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të orës 20.00 ku fillon edhe mbyllja totale e bizneseve dhe duhet përmendur se policia në atë orë zakonisht fillon kontrollin nëse bizneset po bëhen gati të zbatojnë masat e vendosura nga qeveria për pandeminë apo jo.

Por në këtë rast, uniformat blu nuk kanë ndërhyrë.

Edhe pse ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, vetëm sot kemi një njoftim nga Policia e Krujës dhe kjo pasi pamjet kanë qarkulluar fillimisht në medie.

Personi i dhunuar është 30-vjeçari Elvis Elezi, banues në Fushë Krujë, i cili ka pësuar lëndime dhe është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

 “Në lidhje me disa pamje filmike të publikuara në media, ku shfaqen disa persona duke dhunuar një shtetas në një lokal, ju sqarojmë se:
Më datë 17.02.2021, në orën 19:40, në ambientin e një lokali në Fushë Krujë, kanë hyrë disa persona ende të paidentifikuar (dyshohet të armatosur), të cilët kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar lëndime në kokë shtetasit E. E., 30 vjeç, banues në Fushë Krujë, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore, është larguar në banesën e tij.”– njofton policia.

Policia e Krujës thotë se ka shoqëruar disa shtetas të dyshuar për ngjarjen dhe se ka pamjet filmike nga lokali ku ka ndodhur incidenti.

 “Menjëherë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi E. E. është ngritur një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë dhe specialistë për Hetimin e Krimeve në DVP Durrës, të cilët kanë bërë shoqërimin e disa shtetasve të dyshuar dhe në cilësinë e provës materiale janë administruar disa pamje filmike.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë vijojnë punën intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.”– përfundon njoftimi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *