Vendosni fjalën kyçe....

Rama pas aksidentit ku vdiqën dy punonjësit e OSHEE-së: Bashkohem me ngushëllimet e ministres Balluku


Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Gjirokastër, ku dy punonjës të OSHEE-së ranë nga ura dhe përfunduan në lumin Drino.

Rama i cili shpërndau videon e drejtpërdrejtë të ministres Belinda Balluku, tha se bashkohet me ngushëllimet e saj.

Ai shton se është mirënjohës ndaj të gjithë punonjësve të OSHEE-së dhe OST-së që punuan gjatë këtyre ditëve në kushte të vështira të motit.

“Bashkohem me ngushëllimet e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për familjet e për kolegët e dy punonjësve të OSHEE që humbën jetën në krye të detyrës, si edhe u shpreh të gjithë mirënjohjen time e të qeverisë, të gjithë atyre mijëra shërbëtorëve të shtetit e të popullit, që në këto ditë me mot të jashtëzakonshëm punuan pa u kursyer e duke u gdhirë në fronte tejet të vështira, duke riparuar dëmet në energji e hapur rrugët e bllokuara nga stuhitë e dëborës.”- shkruan Rama.

Gjatë deklaratës së saj për mediet, ministrja Balluku tha se OSHEE do të kujdeset për dy familjet e punonjësve të OSHEE-së, të cilët humbën jetën ndërsa po udhëtonin për të riparuar një defekt në nënstacionin e Gjirokastrës.

Ajo tha gjithashtu se u kishte kërkuar drejtuesve të OSHEE-së dhe të OST-së që të shpërblenin punonjësit e tyre, për punën e vështirë që kanë kryer gjatë këtyre ditëve në kushte të motit ekstrem.