Vendosni fjalën kyçe....

“Babai po më mban peng” – OKB nis hetimet pas videos së princeshës Latifa


Vajza e sundimtarit të Dubait, e cila u përpoq të arratisej jashtë vendit në vitin 2018, është shfaqur në video duke deklaruar se po mbahet peng.

Sipas videoklipit të transmetuar të martën në mbrëmje nga BBC, Princesha Latifa thotë: “Unë jam një peng. Kjo vilë është shndërruar në burg. Të gjitha dritaret janë të mbyllura. Unë nuk mund të hap asnjë dritare… Unë kam qenë në izolim. Nuk ka qasje në ndihmë mjekësore, pa gjyq, pa akuzë, asgjë.”

Princesha Latifa ka akuzuar babanë e saj se e ka mbajtur peng në Dubai që kur ajo u përpoq të largohej nga qyteti në vitin 2018.

Në videot e regjistruara fshehurazi, Princesha Latifa shprehet se kishte frikë për jetën e saj. Janë këto video që kanë nxitur OKB-në që të hetojë çështjen, shkruan BBC.

Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut tani është përgjigjur, duke sugjeruar se do të vinte në pikëpyetje Emiratet e Bashkuara Arabe për Princeshën Latifa.

Një zëdhënës tha se Grupi i Punës i OKB-së për Ndalimin Arbitrar mund të nisë një hetim sapo të analizohen videot e Princeshës Latifa.

Zyra e Jashtme dhe e Zhvillimit në Mbretërinë e Bashkuar, tha se ishte një çështje shqetësuese dhe megjithëse nuk ishte përfshirë drejtpërdrejt, do të ndiqte zhvillimet nga afër.

Babai i Princeshës Latifa, Sheiku Mohammed bin Rashid Al Maktoum, është një nga njerëzit më të pasur në botë, sundimtari i Dubait dhe nënkryetari i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sheiku Mohammed ka ndërtuar një qytet jashtëzakonisht të suksesshëm, por aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se nuk ka tolerim të mospajtimit dhe sistemi gjyqësor mund të diskriminojë gratë.

Me ndihmën e miqve, Princesha Latifa u përpoq të largohej nga Dubai për të filluar një jetë të re në shkurt të vitit 2018.

“Nuk më lejohet të ngas makinën, nuk më lejohet të udhëtoj ose të largohem fare nga Dubai.”– tha Princesha Latifa në një video të regjistruar pak para arratisjes së saj.

Por disa ditë pasi ajo iku, Princesha Latifa u kap nga komandot në një varkë në Oqeanin Indian. Princesha u kthye përsëri në Dubai, ku ajo ka qëndruar që atëherë.

Babai i saj tha se ai po vepronte në interesin e saj më të mirë. Dubai dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë thënë më parë Princesha Latifa ishte e sigurt në kujdesin e familjes.

Sheiku Mohammed ka një ndërmarrje të madhe për gara me kuaj dhe shpesh merr pjesë në ngjarje të mëdha si Royal Ascot, ku ai është fotografuar me Mbretëreshën Elizabeth II.

Por ai është përballur me kritika të ashpra për shkak të Princeshës Latifa dhe njerkës së saj, Princeshës Haya Bint Al Hussain, e cila iku në Londër në vitin 2019 sëbashku me dy fëmijët e saj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *