Vendosni fjalën kyçe....

U gjet në banesën ku strehohej personi i shpallur në kërkim, arrestohet polici në Tiranë


Policia e Tiranës ka vënë në pranga tre persona, mes të cilëve edhe një punonjës policie. Arrestimet u kryen në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën “Frosina Plaku”.

Policia kishte informacion se në një banesë fshihej 32-vjeçari Arbër Balliu, një person i shpallur në kërkim.

Në pranga ra edhe personi që e strehonte atë, Igli Pojana. Gjatë aksionit të policisë, u gjet në shoqërinë e tyre edhe një efektiv policie, Demiraldo Heta me detyrë specialist në policinë e Dibrës.

Në këtë banesë policia gjeti dhe sekuestroi dhe rreth 2 kg kanabis.

DETAJET E POLICISË

Nga ana e strukturave per Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të kërkuar për vrasje të mbetur në tentativë, u zhvillua operacioni “Kontakt”.

Si rezultat i veprimeve të kryera, në rrugën “Ndre Mjeda” u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

  • B., 32 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim në vitin 2019, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tirane, pasi Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në vitin 2019, dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasin E. K.

 

Gjatë operacionit, në momentin e kapjes në flagrancë nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ishte në banesë me oficerin e Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shtetasin:

  • D. H., 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë nga strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Gjithashtu, gjatë operacionit, bazuar në informacionet se shtetasi në kërkim A. B. posedonte edhe një banesë tjetër, është ushtruar kontroll në ambientet e saj, ku është konstatuar një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 2.3 kilogramë.

Në momentin e kontrollit në banesën tjetër që dispononte personi në kërkim është gjetur duke paketuar lëndë narkotike shtetasi:

  • I. P., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 250.000 lekë të rinj, që dyshohet se këta persona i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Materialet proceduariale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *