Vendosni fjalën kyçe....

Berisha mbron pronarin e një medieje dhe sulmon një tjetër: I bëj thirrje pronarit të ri të ABC-së, mos u bëj altoparlant i Ramës


Në një konferencë për mediet, kryetari i PD-së Sali Berisha ka komentuar shembjen e “Prestige Resort”, që zotërohet nga pronarët e disa prej medieve kryesore në vend.

“Sulmi ndaj Prestige Resort bëhet nga një armik i medias së lirë.”- tha ai.

Por pasi mbrojti pronarët e “Fokus Media Group”, bëri edhe një vërejtje për pronarët e një medieje tjetër në vend, “ABC News”, duke i bërë thirrje të mos shndërrohen në “altoparlantin” e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Kjo sepse sipas tij, Rama e ka detyruar këtë medie të “shitet” aty ku donte ai. Berisha beson se kjo është medie e tretë që Rama ka goditur brenda një 6-mujori.

 “Kjo është media e tretë që Edi Rama po e asgjëson. Asgjësoi TV Orën, e konfiskoi. Ka çuar aty, një nga figurat më të zeza të historisë së këtij vendi, Arapin e Zi, Farudinin e Zi. Dhe dikton çdo gjë. Pa asnjë bazë, pa asnjë fakt. Pavarësisht se ekspertët faktojnë se të gjitha shpenzimet janë të mbuluara nga burime të qarta, ky thotë të kundërtën.

Një media tjetër, e detyroi të shitet aty ku deshi. Por unë i bëj thirrje atij pronari, dhe u bëj thirrje pronarëve të ABC që të ruajnë integritetin e medias së tyre, sikundër i bëj thirrje pronarit, që nëse do e shndërrosh në altoparlant të Endri Fugës dhe Edi Ramës, do përballesh me pasoja shumë serioze.

Në një kohë gjashtëmujore ai vendos nën terror tre media, që informonin dhe përbënin rrjete anticensurë. Nuk them se kanë pasur politika editoriale në favorin tonë, por censurën nuk e pranojnë. Dhe këto ishin një garanci për antucensurë. Këto dhe jo mediat kombëtare ishin garanci për anticensurë. Siç janë portalet një garanci për anticensurë. Fjala e lirë po pëson ditët më të zeza që nga koha e diktaturës.”- tha Berisha.