Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç i dorëzon Zaevit 4800 vaksina të Pfizerit


Në vendkalimin kufitar të Tabanocit sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka pranuar 4.800 vaksina nga gjithsej 8.000 vaksina që janë siguruar përmes Serbisë, transmeton Alsat.

Vaksinat janë nga kompania Pfizer. Zaev ka falënderuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç, popullin serb dhe kryeministren serbe Ana Bërnabiç.

Edhe një herë popullin serb, presidentit Vuçiç dhe kryeministres Bërnabiç i them faleminderit që po ndihmoni popullin tonë dhe shëndetin tonë publik. Në këtë ditë të bukur, falënderoj secilin që ka kontribuar që të ketë paqe, dashuri dhe shëndet në Ballkan”- tha mes tjerash Zaev.

Vuçiç nga ana tjetër deklaroi se është i lumtur që ndihmoi popullin e Maqedonisë së Veriut.

Po ngrihem, kështu që do ta shkurtoj fjalimin. E shoh që as ju nuk e keni ngrohtë. Unë jam i lumtur që kemi pasur mundësi ta bëjmë këtë, mund ta kishim bërë këtë dhjetë ditë më parë, por kemi pasur shumë probleme për të marrë leje eksporti sepse këto janë procedura shumë të rrepta. Jam i lumtur që mund të ndihmojmë vëllezërit dhe miqtë tanë. Kur e them këtë dua të them një gjë, Serbia nuk ka asnjë interes tjetër përveç se të tregojë miqësi me popullin maqedonas dhe të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut”- tha Vuçiç.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe njoftoi se të mërkurën do të nisë imunizimi kundër Covid-19 në MV, ku fillimisht me këto vaksina do të imunizohet një pjesë e personelit mjekësor.

Falënderoj presidentin Vuçiç për këtë gjest miqësor. Kjo krizë ka treguar se solidariteti është i rëndësishëm dhe se nuk ka kufij. Ne jemi plotësisht të përgatitur, vaksinat janë tashmë në rrugën e tyre për t’u vendosur në frigoriferët e duhur. Pas njoftimit të Pfizer të premten në mbrëmje, kemi punuar deri dje. Nënshkruam marrëveshjen trepalëshe, e cila ishte praktikisht një kusht që të ndodhte ky donacion nga Serbia. Vaksinat janë në vendin tonë sot. Procedura e rregullt në Agjencinë e Ilaçeve do të përfundojë nesër, pas së cilës vaksinimi do të fillojë të mërkurën me punëtorët shëndetësorë në klinikën modulare në Qendrën Klinike në Shkup ”-theksoi Filipçe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *