Vendosni fjalën kyçe....

Policia shpall në kërkim pas 23 vitesh, të dyshuarin për vrasjen e dy vëllezërve në Vlorë


Policia ka zbardhur një vrasje të ndodhur para 23 viteve, në qytetin e Vlorës. Përmes një njoftimi, policia bën me dije se ka shpallur në kërkim ndërkombëtar autorin e dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Beqir dhe Elmaz Hasho në vitin 1998, në lagjen “Pavarësia”.

Personi i shpallur në kërkim është Gerti Selimaj 47 vjeç. Gjykata e Vlorës i ka caktuar atij masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën “vrasje me paramendim”.

Siç shkruan Shqiptarja.com, konflikti ka nisur pasi një i afërm i Gerti Selimajt mbeti i plagosur në vitin 1998 në Vlorë.

Dy vëllezërit Hasho, Beqir dhe Elmaz Hasho, e dërguan të plagosurin në spital, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten edhe sot enigmatike. I afërmi i të plagosurit, Gerti Selimaj iu kërkoi llogari vëllezërve mbi një armë që ishte zhdukur nga vendngjarja. Mes tyre ndodhi edhe një përplasje në spital, konflikt i cili pak ditë më vonë, agravoi me vrasjen e 2 vëllezërve Hasho.

Njoftimi i policisë:

Vijon puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.

Zbardhet vrasja e dyfishtë e ndodhur në vitin 1998, në Vlorë.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim ndërkombëtar autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë.

Seksioni i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, ka bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes së ndodhur në vitin 1998, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 2 vëllezër, shtetasit B. H. dhe E. H.

Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasit:

  1. S., 47 vjeç, të cilit Gjykatës e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Vijon puna intensive për lokalizimim dhe arrestimin e këtij shtetasi.