Vendosni fjalën kyçe....

Kreditë, OST duhet të paguajë 24 milionë euro, linja me Maqedoninë nis zbatimin këtë vit


Kompanitë e sektorit të energjisë janë përfshirë herë pas here në marrëdhënie kredie me bankat e nivelit të dytë në vend, kryesisht përmes ofrimit të garancive nga ana e qeverisë.

Kjo ka ndodhur thuajse me të gjithë kompanitë dhe kushtet jo të favorshme në momente të caktuara apo investimet kyçe kanë qenë ato që kanë udhëhequr këtë çështje.

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) pranon se ka të paktën 30 milionë euro kredi për të paguar gjatë këtij viti. Këtë fakt OST e pranon në aplikimin që dorëzoi në ERE për rishikimin e tarifës së transmetimit.

“Ju bëjmë me dije se për vitin 2021 OST duhet te paguajë rreth 2,954 milion lekë në bazë të marrëveshjeve për ripagimin e kredive me Ministrinë e Financave dhe KESH” thuhet në dokumentin e OST.

Kjo e fundit ka dhënë detaje edhe lidhur me planet e investimeve ku për vitin 2021 duket se do të ketë zhvillime edhe për linjën 400 kilovolt që lidh Shqipërinë me Maqedoninë një projekt që ka vite që flitet. Financimi i këtij projekti, do të sigurohet nga Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar i Zhvillimit. Qeveria Gjermane, tashmë ka angazhuar fonde për një kredi të zhvillimit deri në 50milionë Euro për Qeverinë Shqiptare.

Përveç kësaj, për të mbuluar financimin e plotë të projektit, do të vihet në dispozicion një grant nga WBIF (mekanizimi për kuadrin e investimeve i Ballkanit Perëndimor) prej 13.7 milionë euro. Kostot e brendshme të projektit që llogariten deri në 5 milionë euro do të mbulohen nga vetë OST.

Por në çfarë faze ndodhet sot projekti? “Pas përfundimit të Procedurës së tenderimit për përzgjedhjen e kontraktorëve / kompanive që do të bëjnë implementimin e projektit, në vitin 2021 parashikohet bërja efektive e kontratave të zbatimi për të dy Lotet (pagesat e advances në vlerë sipas termave të pagesës), si dhe pagesat respektive për shërbimin e konsulencës e cila do të hyje në Fazën e implementimit.

Parashikohet që një vlerë prej 16,2 milionë Euro të disbursohet gjate vitit 2020 për këtë projekt” argumentonte OST në shkresën e protokolluar në 28 dhjetor 2020 dhe që kërkon rritjen e tarifës për vitin 2021.

Projekti i linjës së interkonjeksionit 400 kVElbasan2 (Shqipëri) -Bitola (Maqedoni) dhe Elbasan2 – Fier si dhe si dhe zgjerimi i nënstacioneve Elbasan2 dhe Fier përfshin dy elementë.

Së pari ndërtimi i një linje të re transmetimi 400 kV me një qark, për të zbatuar një lidhje bi-nacionale mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe për të përforcuar lidhjen ekzistuese te transmetimit 220 kV te tej ngarkuar dhe të vjetër midis Elbasanit dhe Fier. Traseja e Linjës Elbasan-Bitola do të ketë një gjatësi përafërsisht 56 km ndërsa linja Elbasan – Fier përafërsisht 74 km.

Së dyti ndërtimin e nënstacionit të ri Elbasan 3 dhe përforcimi dhe zgjerimi i nënstacionit ekzistues të Fierit. Nënstacioni i ri Elbasan 3 do të zgjeroje nënstacionin ekzistues 400/220 kV Elbasan 2, me një impiant në nivelin 400 kV për të lidhur linjat Tiranë 2, Zemblak, Fier dhe Maqedoni si dhe instalimin e një reaktori.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *