Vendosni fjalën kyçe....

Kaja Kallas zgjidhet kryeministrja e parë grua e Estonisë


Kaja Kallas do të bëhet kryeministrja e parë grua e Estonisë. E përpos kësaj, Estonia do të bëhet vendi i vetëm në botë ku si presidenti ashtu edhe kryeministri janë të dyja gra.

Siç shkruajnë mediat lokale, udhëheqësja e Partisë së Reformës, Kaja Kallas u emërua për të formuar qeverinë nga presidentja estoneze, Kersti Kaljulaid, në 14 Janar. Kjo pasi koalicioni qeverisës i mëparshëm, u rrëzua.

Partia e Reformës, e udhëhequr nga Kallas, fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 në Estoni duke siguruar 34 deputetë në parlamentin me 101 vende. Sidoqoftë, partia e dytë më e suksesshme në zgjedhje, Partia e Qendrës (e udhëhequr nga Jüri Ratas) vazhdoi përpara dhe formoi qeverinë, në vend të saj.

Qeveria e Juri Ratas ra pasi Prokuroria Publike estoneze njoftoi në 12 Janar se dyshonte se Partia e Qendrës dhe pesë individë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të partisë, Mihhail Korb, ishin të përfshirë në një rast korrupsioni. Ratas, i cili kishte qenë kryeministër i Estonisë që nga nëntori i vitit 2016, njoftoi dorëheqjen e tij në 13 janar. Ndërkohë, Partia e Qendrës tha se nuk do të drejtojë qeverinë e re, duke ia dhënë rolin e saj Partisë së Reformës.

Pas negociatave që zgjatën deri në 24 Janar, Partia e Reformës dhe ajo e Qendrës ranë dakord për qeverinë e re dhe njoftuan emrat e kabinetit të ri prej 15-anëtarësh.

Përveç pozicionit të kryeministrit, Partia e Reformës do të plotësojë pozicionet e Financave (Keit Pentus-Rosimannus), Drejtësisë (Maris Lauri), Mbrojtjes Sociale (Signe Riisalo), Arsimit dhe Kërkimit (Liina Kersna), Tregtisë së Jashtme dhe IT (Andres Sutt), Punët e Fshatit (Urmas Kruuse) dhe e Mbrojtjes (Kalle Laanet). Pjesa më e madhe e tyre janë gra dhe qeveria estoneze këtë radhë do të ketë më shumë ministre gra se kurrë më parë.