Vendosni fjalën kyçe....

PD thirrje qeverisë: Bëj transparencë lidhur me zgjerimin e Greqisë në 12 milje në Detin Jon


Partia Demokratike i ka bërë thirrje qeverisë që të bëjë transparencë lidhur me çështjen e zgjerimit të ujërave territoriale të Greqisë nga 6 në 12 milje në Detin Jon.

Në një deklaratë zyrtare, selia blu, përveç gjashtë pyetjeve që i drejtoi dje qeverisë, i bën thirrje kësaj të fundit që të mbi çdo veprim apo mesveprim të saj për çështjen në fjalë.

Po kështu ajo zotohet se në qeverisjen e saj do përdorë ekspertizën më të mirë kombëtare e ndërkombëtare për të mbrojtur interesat e vendit lidhur me çështjen në fjalë.

Deklarata

Partia Demokratike e Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të gjitha zhvillimet lidhur me ecurinë e marrëveshjes së delimitimit të hapësirave detare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.

Partia Demokratike shpreh shqetësimin e saj lidhur me heshtjen dhe mungesën e transparencës së qeverisë ndaj zhvillimeve të fundit sa i përket Dekretimit të zgjerimit të Ujërave Territoriale Greke.

Të gjendur përballë një situate ku Republika Helenike ka deklaruar shtrirjen e ujërave të veta territoriale deri ne 12 milje është krejt legjitime që çdo qytetar shqiptar t’i drejtojë këto pyetje Qeverisë Shqiptare:

  1. Përse qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë transparencë në lidhje me negociatat për ndarjen e kufijve ujorë me Greqinë, megjithëse negociatat për këtë qëllim kanë ri-filluar që më 2013?
  2. Cilët janë elementët që janë negociuar, ne lidhje me çfarë është rënë dakord dhe çfarë nuk është rënë dakord?
  3. A është diskutuar ndonjëherë në këto negociata ideja që qeveria greke t’i shtrinte ujërat e veta territoriale nga 6 ne 12 milje? Nëse po cili ka qenë qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë pikë?
  4. A e vendos Shqipërinë kjo shtrirje nga pala greke e detit territorial në 12 milje, në një pozitë më pak të favorshme negociuese?
  5. A ka analizuar qeveria shqiptare pasojat juridike dhe të tjera të kësaj shtrirjeje për të cilën mediat kanë raportuar prej kohësh?
  6. Nëse ky zgjerim e vendos Shqipërinë në një pozitë më pak të favorshme, a duhet që qeveria shqiptare të paraqesë rezervat e saj lidhur me këtë zgjerim si dhe me aspekte të tjera që përkeqësojnë pozitat e Shqipërisë.

Partia Demokratike e Shqipërisë është krejtësisht e angazhuar në respektimin e të Drejtës Detare Ndërkombëtare, të Konventës së OKB mbi të Drejtën e Detit të Montego Bay të vitit 1982, të respektimit të të drejtave të të gjitha palëve dhe mbrojtjes së të drejtave të Republikës së Shqipërisë në përfitimin e të gjitha atyre hapësirave detare që me të drejtën ndërkombëtare i përkasin Republikës së Shqipërisë.

Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë, të bëjë transparencë të plotë mbi çdo veprim apo mosveprim të saj në dëm të interesave të vendit, dhe garanton çdo qytetar shqiptar se nesër në pushtet do të luftojë me forcën e ligjit, në respektim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me ekspertizën më të mirë kombëtare e ndërkombëtare, për të mbrojtur interesat legjitime të Republikës së Shqipërisë.