Vendosni fjalën kyçe....

Policia jep detaje të tjera për vrasjen e 25-vjeçarit në Laprakë: Gjetëm armën që kishte nxjerrë


Klodjan Rasha

Policia e Tiranës ka dhënë detaje të tjera lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Laprakë, ku një efektiv qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodjan Rasha.

Sipas policisë, pas kontrolleve në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua pistoleta që dyshohej se mbante i riu.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë në orët e para të mëngjesit të sotëm në lidhje me ngjarjen e ndodhur në rrugën “Dritan Hoxha” ju informojmë se :

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia nën drejtimin e Prokurorit gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste shtetasit K.R, i cili nuk iu bind urdhërit të Punonjësit të Policisë për të ndaluar.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale armë e zjarrit pistoletë me një krehër me fishekë.”– thotë policia, e cila shton se vijon puna nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

25-vjeçari Klodjan Rasha u vra mbrëmjen e kaluar, pasi policia e kishte pikasur të riun duke kryer “veprime të dyshimta”. Pasi i kishin bërë thirrje për të ndaluar, i riu nuk është bindur por është larguar duke nxjerrë një objekt i cili dyshohej se ishte armë. Një nga efektivët është ndjerë i rrezikuar dhe për pasojë ka qëlluar në drejtim të tij, duke i marrë jetën.