Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria miraton ndihmën prej 40 mijë lekë për naftëtarët e Ballshit, kriteret për përfitimin e shumës


Qeveria ka miratuar vendimin për përfitimin e shumës prej 40 mijë lekë në muaj për punonjësit e rafinerisë së Ballshit.

Në vendimin e qeverisë janë përcaktuar edhe kriteret për përftimin e ndihmës financiare.

Vendimi vjen pas dakordësisë mes qeverisë dhe nafëtarëve të cilët ishin në një grevë disa javore për shkak të problematikës së krijuar me pagat e prapambetura për punën e tyre në rafinerinë e Ballshit.

KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE

Ndihma financiare llogaritet dhe jepet çdo muaj për punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh, për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021.

Ndihmën financiare e përfitojnë punonjësit si më sipër, pavarësisht nëse kanë përfituar apo jo ndihmë financiare më parë.

Aplikimi për të përfituar ndihmën financiare për punonësit të cilët nuk kanë përfituar ndihmë financiare, sipas vendimit nr.305, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurës, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit aktualë dhe të larguarit nga puna si pasojë e COVID-19”, bëhet nga vetë subjekti/individi nëpërmjet dorëzimit elektronik të të dhënave të përcaktuara në pikën 4, të këtij kreu.

Miratimi kryhet pas verifikimit të kritereve, bazuar në të dhënat që administrata tatimore disponon apo të dhënave që të punësuarit do të dorëzojnë.

Subjekti/individi aplikues duhet të paraqesë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, elektronikisht, të dhënat e përfituesit, ku përfshihen:

  1. a) të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS ku janë/kanë qenë të punësuar;
  2. b) të dhënat identifikuese të individit si:

emrin, mbiemrin e përfituesit;

numrin personal të identifikimit të përfituesit;

iii. bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;

IBAN-in e llogarisë bankare.

PROCEDURA E VERIFIKIMIT PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE

Administrata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e aplikimit, verifikon në sistemin tatimor, identifikon aplikuesit dhe të dhënat në kërkesën e tyre, duke verifikuar tatimpaguesin nëse është apo jo përfitues i ndihmës financiare.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pas verifikimeve sipas pikës 1, të këtij kreu, përpilon listat përmbledhëse të përfituesve, të ndara për çdo bankë të nivelit të dytë ku përfituesit kanë llogarinë rrjedhëse bankare. Për çdo listë përmbledhëse, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përgatit një urdhër shpenzim të cilin ia paraqet Degës së Thesarit Tiranë për ekzekutim. Paralelisht me dërgimin e urdhrit të shpenzimit në Degën e Thesarit Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve paraqet në bankën respektive të nivelit të dytë listën përmbledhëse të individëve përfitues të ndihmës financiare, me qëllim transferimin e shumës së çdo individi në llogarinë e tij rrjedhëse, pranë kësaj banke. Lista përmbledhëse e individëve përfitues të ndihmës financiare, që paraqitet pranë bankës së nivelit të dytë, duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:

  1. a) Emrin, mbiemrin e përfituesit;
  2. b) Numrin personal të identifikimit të përfituesit;
  3. c) Bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;

ç) IBAN-in e llogarisë bankare.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ruan dhe administron dokumentacionin e përcaktuar sipas këtij vendimi, sipas dispozitave ligjore e nënligjore të parashikuara për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivat.

Drejtoria e Përgjthshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor miratojnë rregullat procedurale për zbatimin e këtij vendimi.

MASA E NDIHMËS FINANCIARE

Ndihma financiare, që përfitojnë punonjësit/ish-punonjësit, përcaktohet në kreun I, të këtij vendimi.

Ndihma financiare do të jepet çdo muaj për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021.

ÇËSHTJE TË FUNDIT

Efekti financiar për dymujorin nëntor – dhjetor 2020, në masën 92 261 140 (nëntëdhjetë e dy milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e një mijë e njëqind e dyzet) lekë, të përballohet nga fondi i alokuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për dhënien e ndihmës financiare sipas paketave përkatëse për përballimin situatës së krijuar nga COVID-19. Efekti financiar, për vitin 2021, në masën në masën 461 305 700 (katërqind e gjashtëdhjetë e një milionë e treqind e pesë mijë e shtatëqind) lekë, përballohet nga buxheti i vitit 2021, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.