Vendosni fjalën kyçe....

Meta-Ramës: Të testohen menjëherë këto 4 kategori, pastaj të vaksinohen kundër gripit stinor


Presidenti Meta ia ka bërë thirrje qeverisë që të nisë masivisht numrin e testimeve teksa numri i të prekurve nga Covid-19 në vend po vjen në rritje.

Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit shkruan se testimet janë e vetmja rrugë për të marrë nën kontroll situatën e pandemisë.

Ai përcakton edhe katër kategoritë që duhen testuar menjëherë. Krahas kësaj ai shton se duhet të nisë edhe vaksinimi për gripin stinor.

“Në këtë moment kritik të përhapjes së pandemisë, është jetike të shtohet masivisht numri i testimeve.

Testimi është mjeti tepër efikas për diagnostifikimin, gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19.Testimi është mundësia e vetme për të vendosur kontrollin mbi situatën dhe për të organizuar përgjigjen e sistemit shëndetësor për çdo qytetar të prekur nga COVID-19.

Si hap i parë, duhet të testohen menjëherë:

  1. Të gjithë mjekët, infermierët dhe personeli mbështetës në sistemin e shëndetësor, parësor dhe spitalor, të cilët janë në vijën e parë të përballjes me COVID-19.
  2. Të gjithë arsimtarët, në çdo nivel, për shkak se testimi dhe gjurmimi pasues i rasteve të tyre lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e fëmijëve tanë.
  3. Të gjithë të moshuarit e vetmuar, të cilët jetojnë të shtëpitë e kujdesit social.
  4. Të gjithë qytetarët me sëmundje bashkëshoqëruese.

Për të gjitha këto kategori është tepër e nevojshme, sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe organizatave të tjera, të nisë menjëherë edhe vaksinimi me vaksinën e gripit stinor.

Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan urgjent, transparent dhe i monitorueshëm në çdo moment. Pandemia mund të vihet nën kontroll dhe jetët e qytetarëve mund të shpëtohen.

Çdo ç’organizim, mosfinancim dhe mosveprim sjell pasoja fatale përditë. Shkenca ka folur. Koha për të vepruar nuk pret më.” – shkruan Meta në Facebook.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *