Vendosni fjalën kyçe....

Po raportonte për gjetjen e eshtrave njerëzore, vritet gazetari meksikan


Një gazetar 31-vjeçar në Meksikë është qëlluar për vdekje, ndërsa po raportonte për zbulimin e mbetjeve njerëzore të hedhura në një rrugë në qytetin e Salamanca-s, në Guanajuato.

Siç shkruan BBC, Izrael Vázquez Rangel punonte për faqen e lajmeve në internet El Salmantino.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm tha se Vázquez kishte shkuar për të hetuar mbi raportet për disa eshtra të gjetura në qytetin e Salamanca-s herët të hënën.

Ai duket se ka mbërritur në vendin e ngjarjes para forcave të sigurisë.

Në kohën kur policia arriti, ata e gjetën Vázquez të plagosur rëndë. Ai vdiq disa orë më vonë në spital.

Faqja e lajmeve për të cilën ai punonte, tha se Vázquez ishte viktimë e një “sulmi frikacak dhe mizor … ndërsa ai po kryente punën e tij të nderuar si gazetar”.


El Salmantino theksoi se Vázquez kishte udhëtuar me një makinë të shënuar qartë me logon e medias dhe për këtë arsye duhej të ishte njohur si reporter.

Zbulimi i eshtrave njerëzore dhe varreve masive nuk është i pazakontë në Guanajuato.

Më pak se dy javë më parë, u gjetën eshtrat e 59 njerëzve, kryesisht të rinj.

Meksika konsiderohet si një ndër vendet më të rrezikshme për gazetarët. Më shumë se 100 gazetarë janë vrarë në Meksikë që nga viti 2000. Shumë prej tyre raportonin për korrupsionin ose kartelet e fuqishme të drogës në vend.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *