Vendosni fjalën kyçe....

Vetëvendosje takim me naftëtarët e Ballshit: Jemi në krah të tyre, nëpërkëmbja e papranueshme


Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, dega në Shqipëri, vizituan ditën e sotme naftëtarët e Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në qytetin e Ballshit, të cilët janë në ditën e dymbëdhjetë të grevës së urisë.

Në reagimin e Vetëvendosjes thuhet se kërkesat e drejta dhe të përsëritura të naftëtarëve janë: zbatimi i vendimit të gjykatës së vitit 2017 për pagat e prapambetura bashkë me pagat e prapambetura në gjithë këto muaj që prej ndaljes së punës në rafineri, remonti dhe rivendosja në punë e rafinerisë, si dhe kontrata kolektive e punës.

Lëvizja Vetëvendosje shkruan se i ka përkrahur në vazhdimësi këto kërkesa, duke kërkuar respektimin e dinjitetit dhe të të drejtave të mbi 700 punëtorëve të kësaj rafinerie.

“Uzina duhet trajtuar si pronë e punëtorëve dhe pasuri kombëtare. Ajo është burimi kryesor i të ardhurave për familjet e naftëtarëve dhe banorëve të Ballshit. Për rrjedhojë, shteti duhet të marrë kontrollin mbi të gjitha aksionet e kësaj uzine duke e rifunksionalizuar atë dhe duke përmbushur kërkesat e punëtorëve. Çdo vonesë e mëtejshme është e pajustifikueshme.” – thuhet në reagimin e lëvizjes.

Më tej në reagimin e Vetëvendosjes thuhet se aktivistët u shprehën naftëtarëve grevistë solidaritetin për organizimin dhe qëndresën që po bëjnë prej muajsh, përmes protestave, aksioneve dhe grevës së fundit të urisë.

“Nëpërkëmbja dhe shtypja ndaj tyre janë të papranueshme. Qëndresa e naftëtarëve ka fituar zemrat e shqiptarëve. Kauza e tyre është interes madhor kombëtar. Prandaj fitorja e naftëtarëve do të jetë fitore e Shqipërisë drejt ndërtimit të shtetit zhvillimor. Aktivistët e Lëvizjes shprehin gatishmërinë për të qenë në krah të naftëtarëve në këtë përpjekje të përbashkët.” – mbyllet reagimi i Vetëvendosjes.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *