Vendosni fjalën kyçe....

Ruçi letër BE-së: Të nisin sa më shpejt negociatat me Shqipërinë


Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër BE-së për integrimin e Shqipërisë dhe arritjet e vendit në zbatimin e Reformave në Drejtësi dhe asaj Zgjedhore deri në këto momente.

Në letrën dërguar të gjithë Kryetarëve të Parlamenteve dhe të Senateve të vendeve anëtare të BE-së, Ruçi i falenderon ata për mbështetjen në integrimin e Shqipërisë dhe i informon për hapat e mëtejshme të Kuvendit duke thënë se vendi po ecën para me reformat.

Ruçi thotë se vendi është gati të fillojë sa më parë diskutimi i kapitujve të negociatave.

LETRA E RUÇIT

Vendimi i marrë nga Këshilli i Bashkimit Europian në datën 25 mars 2020 për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, i bazuar në progresin e arritur në reformat dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Këshilli, është një inspirim e detyrim për të vijuar me përkushtim në përmbushjen e detyrimeve tona ndaj procesit të integrimit.

Mbështetja e parlamenteve të vendeve anëtare ka qenë një inkurajim i madh për avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, të cilën populli shqiptar nuk do ta harrojë kurrë. Këtë mbështetje e kam konstatuar gjatë të gjitha takimeve dypalëshe gjatë vitit 2019.

Kuvendi i Shqipërisë po jep një kontribut kyç në rrugëtimin europian të vendit tonë, duke garantuar legjitimitetin demokratik dhe kontrollin ligjor e politik të procesit dhe përputhshmërinë e ligjeve me standardet e BE-së, duke garantuar një cilësi më të mirë të legjislacionit kombëtar.

Kuvendi i Shqipërisë është gjithashtu i angazhuar në mbështetjen e reformave të rëndësishme në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë, si reforma zgjedhore, reforma në drejtësi dhe plotësimi i rekomandimeve të Këshillit Europian, për përgatitjen e kuadrit negociues.

Ne kemi besim se do të kemi edhe mbështetjen e parlamenteve dhe senateve të vendeve anëtare që negociatat të çelen sa më shpejt dhe të fillojë sa më parë diskutimi i kapitujve të tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *