Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Plani i Rimëkëmbjes nuk është plan elektoral, Rama të lërë palaçollëqet se jemi në krizë


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka theksuar se plani që prezantoi ditën e djeshme nuk ishte plani i tij elektoral, por një kërkesë që opozita i shtron kryeministrit Edi Rama.

Basha i kërkon Ramës të marrë përgjegjësi për krizën dhe të veprojë në 6 muajt e fundit që sipas tij i kanë mbetur në qeverisje dhe t’i çojë paratë aty  duan shqiptarët.

Kryedemokrati thekson se vendi është në krizë të thellë dhe Rama duhet të lër palaçollëqet e të shajë opozitën.

“Plani i Rimëkëmbjes ekonomike që kemi prezantuar këtë javë nuk është plani ynë elektoral, por është plani për këto 6 muaj, sepse për fat të keq këto 6 muaj të fundit të kësaj qeverie, drejton ende një kryeministër që në vend të marrë masa, vazhdon të bëjë sharlatanin dhe palaçon nëpër ekrane.
Sado të merret me opozitën, sa do të shajë e të bëjë batuta, të vërtetën nuk e fsheh dot.

Tavolinat e shqiptarëve janë boshatisur prej vendimmarrjeve të tij të dështuara, të gabuara dhe korruptive. Xhepat e shqiptarëve janë boshatisur dhe sipërmarrja shqiptare po vuan dhe është në kufijtë e ekzistencës.

Ndaj dua ta them dhe njëherë qartë dhe shkoqur, plani ynë i Rimëkëmbjes anti-Covid, nuk është programi ynë elektoral, por është kërkesa që i shtrohet qeverisë në ikje, që të lërë palaçollëqet, të ndalë vjedhjet këto 6 muajt e fundit dhe t’i çojë paratë e shqiptarëve aty ku kanë nevojë shqiptarët. Tek afro 100 mijë të papunë, zyrtarisht 50 mijë të papunë, tek sipërmarrja që po vuan, tek sipërmarrja që rimerr në punë ata që kanë humbur vendet e punës, tek pensionistët dhe dyfishimin e ndihmës ekonomike.

Këto 6 muaj do jenë muaj edhe më të vështirë se gjashtë muajt që kemi kaluar. Ky është momenti për të marrë masat që nuk u morën. Gabimet u bënë, por të paktën të mësohet nga këto gabime sepse faturën nuk po e paguan Edi Rama, as ministrat e tij të krimbur në para e oligarkët që i rrethojnë ata, por po i paguajnë shqiptarët.

Prandaj sot dhe ditë për ditë nuk do lodhem së përsërituri që nuk është koha për sharlatanizma por Rama të marrë përgjegjësi në këto ditë që i kanë mbetur, sepse vendi është në krizë dhe tryezat e shqiptarëve janë bosh. Nuk ka kohë për të humbur.” -theksoi Basha.

Këtë deklaratë, Basha e bëri pas një vizite në një fasoneri në Vorë. Basha tha se ndërmarrja fason ku ishte ndalur, ka patur në të kaluarën deri në 500 punonjës e tani ka vetëm 150.

Kryedemokrati theksoi se vendi është në krizë të thellë e se paratë e taksapaguesve nuk po shkojnë në xhepat e shqiptarëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *