Vendosni fjalën kyçe....

Myslim Murrizi: Varianti i PS-së është sondazh dhe jo lista të hapura


Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet Ligjore, po shqyrtohen dy nismat për Kodin Zgjedhor.

Gjatë fjalës së tij, deputeti Myslim Murrizi kujtoi se së bashku me opozitën parlamentare ka kërkuar listat e hapura kombëtare, por variantin e PS-së e ka quajtur si një sondazh dhe jo lista të hapura.

“Varianti i PS-së është një sondazh dhe jo lista të hapura. Ne në emër të listës sonë kemi kërkuar që listat të hapen 100 për qind. Ne duam që në këtë Kuvend të vijnë deputetë, që vijnë nga qytetarët shqiptarë. Mos pengoni atë që lejon Kushtetuta. Dëshiroj që për herë të parë të ketë garë të ndershme. Ne kërkojmë që numërim të jetë nga administrata politike.

Nuk besoj se është e tepërt që Shqipëria të gjejë 1800 numërues. 90 vende numërimi nga 5 tavolina, herë 4 veta bëjnë 1800 veta dhe të vijnë nga arsimi, noterë e gjyqtarë. Si mundet që unë apo kolegë të PS apo PD të pranojnë që rezultati është ai që është hedhur në kuti kur vota do të numërohet nga individë politikë të caktuar nga drejtuesit politik qoftë të qarqeve qoftë nga kryetari i partisë, kur kemi garë mes vetes.

Kemi propozuar edhe pragun. Nuk na tremb pragu. Të vijnë në parlament ata që e kalojnë pragun. Pra prag kombëtar me sistem rajonal nuk mund të ketë. Idealja do të ishte që të ishte pragu natyral për një mandat në qark.”- ka deklaruar Murrizi.

1 tetori është afati i vendosur nga Kuvendi i Shqipërisë për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kanë të bëjnë me hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *