Vendosni fjalën kyçe....

Pse po kundërshtohet propozimi i Partisë Socialiste për formulën që nxjerr fitues deputetët


Maxhoranca nuk po humb kohë pasi e ka depozituar në Kuvend draftin për lista e hapura që do të reflektojë ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

Ky draft pritet të futet në rend dite dhe te diskutohet, në seancën e datës 1 tetor në parlament.

Kryeministri Edi Rama, u kujtua të “hapte listat” vetëm pasi u miratua reforma zgjedhore sipas marrëveshjes së 5 qershorit me ndërkombëtarët.

Vetë Rama dhe socialistët dukeshin akoma më të zellshëm se opozita kur bëri propozimin për listat e hapura. Në Parlament deklaroi se shumica e sondazheve dhe opinionit publik, kërkonin hapjen e listave dhe “PS nuk mund të shkonte kundër interesit të qytetarëve”. Por mesa duket në fund në draft propozoi lista vetëm në dukje të hapura.

Lidhur me propozimin e PS-së në Këshillin Politik, ka patur mjaft diskutime, por përveç socialisëve duket se askush nuk e gjykon propozimin si hapje listash.

Në pikën e fundit të draftit saktësohet se si do të kryhet renditja e kandidatëve fitues në zgjedhjet parlamentare, ku duket se rol primar do të ketë renditja e tyre nga Partia që do të dorëzohet në KQZ.

PS propozon se kandidatët poshtë listës fituese duhej të marrin minimalisht një votë më shumë sesa mesatarja e votave që ka marrë partia e tij në një qark të caktuar.
Por opozita pretendon që kjo është pothuajse e pamundur të ndodhë dhe kështu de fakto kandidatët fitues do mbeteten ata të vendosur nga kryetarët e partive.

Qëndrimi i PD-së 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka kundërshtuar propozimin e PS-së. Një natë i ftuar në programin “Opinion” si dhe në diskutime dhe deklarata publike, ai është shprehur se është pro listave 100% të hapura për zgjedhjet e ardhshme.
Ai thotë se është për një “listë alfabetike” për kandidatët për deputetë, pasi sipas tij në këtë mënyrë marrin aq vota sa meritojnë.

PD-LSI kërkojnë që të pranohet asistenca e OSBE-ODIHR-it, por shumica socialiste e cilëson këtë si zvarritje të procesit, duke deklaruar e prerë se nuk do të pranohet.

Përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi thotë se listat e hapura janë thjesht një mashtrim dhe se qytetarët shqiptarë janë gënjyer nga kryeministri Rama. Sipas tij, rregullat po ndërrohen në mes të procesit dhe kjo është kundër çdo standardi.

Në ditët më pas, PD-LSI kërkuan asistencë nga OSBE-ODIHR. “Kishim kërkuar që Këshilli Politik t’i drejtohet OSBE/ODIHR për ekspertizë në lidhje me çështjet e koalicioneve. Është një nga çështjet më të mëdha që ka hapur debat sot në raport me sistemin zgjedhor, në raport me reformën zgjedhore. Ka një ndarje të pastër mes opozitës dhe mazhorancës”, tha Bylykbashi. Sipas tij, listat e hapura si një alibi nga PS-ja për të hequr koalicionet.

Qëndrimi i LSI-së

Përfaqësuesi i LSI-së në Këshillin Politik, Petrit Vasili, e ka konsideruar të papranueshëm propozimin e PS-së.
Vasili thekson se propozimi për hapjen e listave ishte një propozim ordiner nga Rama.

Para pak ditësh ai kujtoi se listat e hapura janë kërkuar nga partia e tij që në 2017. Ai publikoi edhe një dokument në “Facebook”, që sipas tij, fakton diçka të tillë. Vasili tha se kjo është një përgjigje për të gjithë ata që sot bëjnë sikur duan lista të hapura.

Ndërsa Brisida Shehaj e cila vetëm së fundi i është bashkuar LSI-së, foli për reformën zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese të njëanshme të 30 korrikut në emisionin ‘Tempora’. 
” U tha do hapen listat, drafti është jo tallës por një fëmijë në klasë të dytë e kupton çfarë është ajo. Ato ndryshime që Rilindja ia dha opozitës (i drejtohet Rudina Hajdarit) si fitore, që ishte lista e hapur, në atë ndryshim ishte edhe kjo që hoqi koalicionet. Në këtë sistem zgjedhor që kemi ne, mundësia e koalicioneve bënte që votat të mos shkojnë firo. Nëse duhen për Tiranën 11 mijë vota që të marrësh një mandat dhe ka mbetje, mbetje e mbesin mandatet rrugës, ka votues të papërfaqësuar më parë. Dhe koalicioni ishte pikërisht kjo, për të shmangur këtë firo.
Me këtë trumbetimin e bukur që fitoi opozita në parlament, më ndje Rudina, që fituam listat e hapura, realisht nuk fituan asgjë. Çfarë fitoi Rilindja? Ishte heqja e koalicioneve. Shqiptarët nuk fituan asgjë.”- shpjegoi Shehaj.

Qëndrimi i Nismës Thurje 

Deputetja Rudina Hajdari, e cila vetëm së fundmi i është bashkuar Nismës Thurje, e ka kundërshtuar gjithashtu draftin e socialistëve.

Vetë Hajdari ka propozuar në Këshillin Politik, një draft në lidhje me hapjen e listave 100 %, ruajtjen e kuotës gjinore 30 % dhe mënyrës së shpërndarjes së mandateve.

Në draft propozohet lista 100 % e hapur duke i dhënë 100 % fuqinë popullit të zgjedhë se kush do të jetë përfaqësuesi i tij. Gjithashtu për renditjen e kandidatëve, Hajdari propozon që ajo të jetë sipas rendit alfabetik dhe me renditej paraprake duke i dhënë vlerë vetëm renditjes përfundimtare që do të vendoset në bazë të votave që secili kandidat ka marrë në bazë të votave parapëlqyese.

“Do të ishtë zhgënjyese për të gjithë shqiptarët por edhe anti-kushtetuese nëse palët do të tërhiqeshin nga qëndrimet tashmë të qarta mbi mundësimin e përzgjedhjes së përmbajtjes së Kuvendit të ardhshëm nga shqiptarët e jo thjesht nga Kryetarët e partive.”- thotë Hajdari.

Nisma Thurje ka qenë ndër më aktivet që ka kërkuar ndryshim të sistemit elektoral dhe për lista të hapura, edhe para se të shndërrohej në parti politike. Një nga përfaqësuesit e lëvizjes së re politike, Pano Soko e ka kundërshtuar gjithashtu propozimin e PS-së.

“Së fundmi ka patur një propozim nga ana e PS-së e cila pretendon se po hap listat. Por si po i hap listat? Propozimi i PS për hapjen e listave konsiston në faktin se qytetarët mund të votojnë në një listë të hapur kandidatin që do preferonin ata të fitonte, por kur vjen puna për përzgjedhjen, kush do të hyjë në Parlament, aty futet në mes lista e kryetarit”- thotë Soko.

Ai madje publikoi një video, ku bëri një shpjegim në një tabelë për ta bërë më të thjeshtuar për publikun se si bëhet përzgjedhja e kandidatëve.

Soko merr si shembull një listë në Kukës me tre kandidatë, ku kandidati që mbledh më shumë vota nuk futet dot në Parlament për shkak të rregullit të ri që duhet të mbledhë “më shumë se mesataren për mandat” për të përmbysur listën e kryetarit.

Por pavaësisht këtyre kundërshtimeve, socialistët këmbëngulin në qëndrimin e tyre.

Maxhoranca i ka dhënë aftin e fundit opozitës jashtëparlamentare deri më 30 shtator që të arrihet në konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor për listat e hapura, koalicionet dhe pragun elektoral. Por ka paralajmëruar gjithashtu se nuk do të presë pafund PD-në dhe se procesi nuk do të mbetet peng në një kohë kur vendi është vetëm pak muaj larg mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare që presidenti Ilir Meta, i ka lënë më 25 prill 2021./Përgatiti për Hashtag.al, Dajana Dobrozi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *