Vendosni fjalën kyçe....

PD-ja padit kreun e ISHSH-së në Elbasan: Shpërndau formularin zgjedhor për punonjësit


Partia Demokratike, dega Elbasan, ka paditur në prokurori kreun e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Blendi Musai, lidhur me një formular të shpërndarë prej tij në institucionin që drejton.

Sipas PD-së, ai ka abuzuar me detyrën duke shpërndarë formularin në fjalë te punonjësit e tij, formular që do përdoret për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

PD-ja thekson se nuk do njohë asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale pas zgjedhjeve.

Deklarata

Ky është Formulari i mbledhjes së votave për Partinë Socialiste i shpërndarë nga Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Elbasan Blendi Musai, tek punonjësit nën varësinë e tij. Ky është krim dhe abuzim i rëndë me detyrën.

Partia Demokratike Elbasan dënon këtë akt kriminal të Blendi Musait dhe e garanton se do të përballet me forcën e ligjit, pa asnjë hezitim.

Gjatë ditës së sotme kemi përcjellë të dhënat e plota për kallëzimin e tij në prokurori për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 328/a “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të Kodit Penal.

Partia Demokratike Elbasan garanton të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk angazhohen në veprimtari politike dhe nuk bien pre e presionit të paligjshem, se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale nuk do të njihet nga Qeveria e re e Partisë Demokratike, e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *