Pasi i dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell lajmëroi se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator, ka patur një reagim edhe nga Hashim Thaçi.
Me anë të një postimi në Twitter, Presidenti i Kosovës, thotë se e mirëpret takimin e paralajmëruar.
“Unë e mirëpres takimin e paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë për negociatat midis Kosoves dhe Serbisë.
Ne jemi mirënjohës ndaj SHBA për përkushtimin e jashtëzakonshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, shkruan Thaçi.
Ambasadori Grenell e bëri njoftimin të enjten në Tëitter, por nuk dha hollësi të tjera.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për më 27 qershor, por planet u shtynë për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.