Vendosni fjalën kyçe....

Kina hakmerret ndaj SHBA-ve, urdhëron mbylljen e konsullatës amerikane


Ministria e Jashtme kineze urdhëroi qeverinë amerikane që të mbyllte një zyrë diplomatike në Chengdu, një veprim që Pekini e konsideroi si kundërpërgjigje për mbylljen e konsullatës kineze në Houston.

“Kina ka vendosur të revokojë licencën për krijimin dhe funksionimin e Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-ve në Chengdu dhe të parashtrojë kërkesa specifike për Konsullatën e Përgjithshme për të ndaluar të gjitha bizneset dhe aktivitetet,” tha Ministria e Jashtme kineze në një deklaratë të premten.

Pekini e ka akuzuar Uashingtonin për tensionim të njëanshëm të marrëdhënieve mes vendeve. Autoritetet kineze i kërkuan edhe një herë Uashingtonit që të hiqte menjëherë vendimin e gabuar për krijimin e kushteve të nevojshme për kthimin e marrëdhënieve dypalëshe në normalitet, thuhet më tej në deklaratë.

Autoritetet amerikane deklaruan se konsullata kineze në Houston shërbente si bazë sekrete që vepronte kundër interesave të SHBA-ve.