Vendosni fjalën kyçe....

Hajdutët futen në shtëpinë e Ellen DeGeneres dhe i marrin bizhuteritë


Grabitet banesa ku jeton moderatorja Ellen DeGeneres dhe gruaja e saj, aktorja Portia de Rossi. Ngjarja siç shkruan Fox News, ka ndodhur në fillim të këtij muaji.

Zyra e Sherifit në qarkun e Santa Barbara-s konfirmoi lajmin në një deklaratë për shtyp të enjten. Në këtë deklaratë sqarohet se incidenti ndodhi në shtëpinë e DeGeneres në Montecito në datën 4 korrik.

“Rezidenca duket se ka qenë në shënjestër për shkak të statusit të famshëm të viktimës”– thuhet në njoftim. “Përshkrimi i saktë i sendeve që janë marrë nuk është në dispozicion për t’u publikuar, por ato përshkruhen si bizhuteri me vlerë të lartë dhe ora.”

DeGeneres e kishte blerë banesën për 27 milion dollarë në fillim të vitit 2019.

Kjo grabitje ka ndodhur në një kohë kur moderatorja po përballet me akuza të shumta nga stafi i emisionit të saj të cilët thonë se DeGeneres nuk është aq e sjellshme me ta siç duket në ekran dhe se punojnë në një mjedis toksik.

Në këtë periudhë po qarkullojnë dhe thashetheme se do anulohet emisioni i saj, por ndërmarrja prodhuese që qëndron prapa emisionit i hodhi poshtë. As DeGeneres dhe as de Rossi, nuk kanë folur publikisht për grabitjen.