Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshojnë rregullat e udhëtimit drejt Greqisë, çfarë duhet ditur


Policia njofton qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë drejt Greqisë se të vetmet pika kufitare që do jenë të hapura nga pala greke janë Kapshtica e Kakavija.

Në njoftim sqarohet se shtetasit shqiptarë apo të huaj që kanë leje qëndrimi greke, shtetasit grekë e minoritarët që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Greqisë duhet të plotësojnë online formularin në adresën e poshtëshënuar në njoftim.

Pas kësaj ata do marrin konfirmimin e udhëtimit që do e paraqisin te autoritetet greke në pikën hyrëse. Në rast të mungesës së këtij kodi ata nuk do lejohen të kalojnë.

Një pjesë e qytetarëve do testohen për Covid-19 dhe në rast se dalin pozitivë do izolohen në adresën e deklaruar prej tyre për 14 ditë.

Njoftimi

Policia e Shtetit sqaron qytetarët se sipas njoftimit zyrtar të bërë nga autoritetet policore greke, në zbatim të vendimit të qeverisë greke, kufiri tokësor me Greqinë do të jetë i hapur vetëm nga Pikat e Kalimit Kufirit Kakavijë dhe Kapshticë.

Shtetasit shqiptarë e të huaj me leje qëndrimi greke, shtetasit grekë dhe minoritarët që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Greqisë duhet që brenda 48 orëve para udhëtimit të plotësojnë online formularin PFL (Passenger Locator Form) në adresën zyrtare në linkun: https://travel.gov.gr/#/

Pas plotësimit të formularit online, secili qytetar do të marrë ne e-mail një konfirmim me një barcode,  të cilin do ta paraqesë para autoriteteve në pikën hyrëse të kalimit në Greqi.

Në rast se një qytetar nuk disponon konfirmimin me barcode, nuk do të lejohet të kalojë kufirin Qytetarët e vendeve të BE-së apo të vendeve të treta nuk lejohen të kalojnë kufirin.

Testimi për COVID-19 do të kryhet me përzgjedhje algoritmike dhe shtetasit që do t’i nënshtrohen testimit do të izolohen në adresën e deklaruar prej tyre deri në daljen e rezultatit. Në rast se qytetari rezulton pozitiv me COVID-19 do të karantinohet për 14 ditë në adresën e deklaruar.

Lëvizja e automjeteve të transportit të mallrave vazhdon normalisht, si në hyrje edhe në dalje, por edhe shoferët e kamionëve duhet të plotësojnë formularin online.

Ndërsa Pikat e Kalimit Kufitar Tre Urat Përmet dhe Qafë Botë Sarandë janë të mbyllura nga pala greke.

Në këto pika nuk lejohet as lëvizja e shtetasve dhe as e automjeteve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *