Vendosni fjalën kyçe....

6-mujori, të ardhurat buxhetore me rënie vjetore 250 mln euro, përmirësimi në qershor nga taksat lokale


Ecuria e treguesve buxhetorë, sidomos në të ardhura po tregon se, ekonomia po rikuperohet me hapa të ngadaltë dhe ende shumë larg normalitetit të para pandemisë.

Buxheti grumbulloi në 6-mujorin e parë 194 miliardë lekë. Kjo shumë është 250 milionë euro (249.7 miliardë lekë) më e ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë. Arkëtimet ishin 14% më të ulëta se fakti i vitit 2019.

Për janar-qershor 2020, rënia më e madhe vjetore erdhi nga tatimi mbi të ardhurat personale me rreth 50 milionë euro ose 28% më pak se një vit më parë. Rënia sinjalizon papunësinë e krijuar për shkak të pandemisë. Të ardhurat nga ky tatim kanë vijuar me rënie edhe në qershor, duke vërtetuar se tregu i punës është larg normalitetit

Arkëtimet e TVSH dhe Tatimi mbi Fitimin ranë përkatësisht me 12 dhe 33% në 6-mujor. Të ardhurat nga TVSH u ndikuan nga rënia e qarkullimit në ekonomi, për shkak të pandemisë, ndërsa tatimi mbi fitimin shënoi rënie për shkak të vendimeve të qeverisë për shtyrjen e pagesës së tij në kohë.

Arkëtimet në qershor përmirësohen nga pushteti vendor

Dobësitë në arkëtime lidhen me masat bllokuese për shkak të pandemisë, por arkëtimet e muajit qershor, por tregojnë se edhe me çeljen ekonomisë dobësitë nuk po shërohen shpejt.

Të ardhurat në muajin qershor të këtij viti ishin 34,3 miliardë lekë, me një rënie 7.5% në raport me qershorin 2019.

Në të ardhurat tatimore dhe doganore, rënia vjetore në qershor ishte shumë më e lartë me 15%, duke ruajtur rënien e muajve të mëparshëm. Rezultati i përmirësuar në qershor vjen tërësisht nga të ardhurat nga pushteti vendor.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, të ardhurat nga pushteti vendor shënuan 3,2 miliardë lekë ne qershor, me një rritje prej 53% në raport me një vit më parë. Kjo rritje u ndikua nga grumbullimet më të larta nga taksa e infrastrukturës, si rrjedhojë e rritjes së lejeve të ndërtimit.

Gjithashtu me rritje ishin edhe taksat e pasurisë dhe taksat lokale, përkatësisht 83 dhe 45% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Teksa për qershorin të ardhurat nga pushteti vendor u përmirësuan, ato shënuan dobësi në 6-mujor, ku rënia vijon të jetë 14%, ose rreth 35 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *