Vendosni fjalën kyçe....

Qëndrimi i prerë i Gjermanisë: Marrëveshja e 5 qershorit të miratohet pa ndryshime në Kuvend


Zv.kreu i grupit të CDU/CSU-së në Bundestagun gjerman, Johann Wadephul ka ‘kërcënuar’ Shqipërinë me moshapjen e negociatave në rast se preket marrëveshja e 5 qershorit mes partive politike në vend.

Në një deklaratë të bërë ditën e sotme ai ka thënë se kjo marrëveshje ishte e mirë dhe duhet miratuar nga Kuvendi pa ndryshime.

Sipas Wadephul-it, reagimi i të cilit vjen pas miratimit në Komisionin e Ligjeve të moslejimit të koalicioneve parazgjedhore dhe ndryshimit të Kushtetutës, kjo gjë do ishte shkelje serioze e marrëveshjes së arritur më 5 qershor.

“Me marrëveshjen e 5 qershorit dhe marrëveshjet e tjera të bazuara mbi të, qeveria dhe opozita kanë hartuar një reformë të mirë zgjedhore. Kjo reformë zgjedhore tani duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020. Atëherë do të përmbushej kërkesa e bërë nga BE dhe Bundestagu gjerman për të kryer një reformë zgjedhore në një proces gjithëpërfshirës midis qeverisë dhe opozitës – përfshirë opozitën ekstra-parlamentare. Por tani po dëgjojmë për vendime në Parlament, për të ndryshuar marrëveshjet e 5 qershorit dhe kushtetutën, duke ndaluar formimin e koalicioneve zgjedhore nga partitë përpara zgjedhjeve. Të dyja këto ndryshime, nëse do të miratohen nga Parlamenti, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit.” – ka thënë Wadephul.

Ai ka shtuar se ndryshimet kushtetuese do minonin të gjithë reformën zgjedhore dhe do e vendoste kryeministrin Rama e shumicën kundër krerëve të shteteve të BE-së duke vënë në pikëpyetje perspektivën europiane të vendit.

“Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë. Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian.” – shton ai.

Në fund, zyrtari i lartë gjerman thotë se një qasje e tillë është shkelje e besimit ndaj BE-së, OSBE-së e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë duke u bërë thirrje deputetëve në parlament që ta miratojnë marrëveshjen e 5 qershorit në Kuvend pa asnjë ndryshim.

“Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore. Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje. Prandaj u bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar: Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore. Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman. Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!.” – mbyll reagimin Wadephul.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *