Vendosni fjalën kyçe....

Krijoi ‘nëndetësen’ për kalimin e drogërave përmes Atlantikut, kush është Ylli Didani që iu sekuestrua pasuria sot


Policia e Shtetit njoftoi sot në bashkëpunim me prokurorinë se kanë vendosur në sekuestro preventive ndaj pasurisë së 44-vjeçarit shqiptar Ylli Didani, i cili është aktualisht i arrestuar në SHBA për llogari të DEA-s amerikane.

Pasuria e Didanit në Shqipëri kap shifrën e 1.2 milionë dollarëve.

Por kush është Ylli Didani?

Në pamje të parë, banori i Miçiganit, Ylli Didani ishte një biznesmen i suksesshëm me aksione në disa kompani në Shtetet e Bashkuara, Shqipëri dhe Kosovë. Ai kishte një marrëdhënie biznesi edhe me ish-shefin e eksortës së Ramush Haradinaj.

Por sipas agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, 43-vjeçari Didani bënte një jetë të dyfishtë.

Ai akuzohet se kontrabandonte kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë dhe më pas i pastronte të ardhurat e paligjshme të drogës përmes veprimtarive të tij të biznesit.

Sipas autoriteteve, Didani akuzohet se ka bashkëpunuar me Marty Tibbitts, drejtor i kompanisë së shërbimit ndaj klientit Clementine Live, me bazë në Detroit për transportimin e drogërave, duke krijuar prototipin e një nëndetëseje për transportimin e drogërave nga SHBAja përmes oqeanit Atlantik, të kompletuar me pajisje nënujore dhe antenë GPS. Por Tibbitts vdiq në një aksident ajror në vitin 2018.

Sipas planit të tyre, nëndetësja do të montohej në fund të një anijeje komerciale dhe më pas do të shkëputej në distancë kur të afrohej pranë brigjeve të Evropës.

Drogat më pas do të merreshin nga një barkë peshkimi, e kontrolluar nga bashkëpunëtorët e Didanit.

Një hetim gjashtë vjeçar në SHBA solli arrestimin e Didanit këtë 31 Mars në Karolinën e Veriut, ndërsa prokurorët në Shqipëri, kishin ndërprerë një hetim ndaj tij që lidhej me transferta të dyshimta bankare.

Vetëm gjatë dy viteve të fundit, autoritetet në SHBA dhe në Evropë kapën rreth 3.5 tonë kokainë, e cila dyshohet se është trafikuar nga grupi i Didanit nga Amerika e Jugut në Bilbao në Spanjë, në portin holandez të Roterdamit dhe në Antëerp të Belgjikës.

Sipas DEA-s, organizata e Didanit kishte lidhje në Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut, Shqipëri, Turqi, Gjermani, Belgjikë, Spanjë, Holandë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *