Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, ka zbuluar se një spiun egjiptian ka punuar në zyrat e zëdhënësit të kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert ,për vite me rradhë, ndoshta duke mbledhur informacione për grupet e opozitës egjiptiane.
Aktivitetet e tij u zbuluan nga zyrtarët e inteligjencës. Ai u lirua nga detyrat në Zyrën Federale të Shtypit dhe u vu nën hetim për spiunazh në dhjetor të vitit 2019 nga Zyra Federale e Policisë Kriminale.
Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) ka deklaruar se të paktën dy degë të shërbimit sekret egjiptian kanë qasje në Gjermani, agjencinë ndërkombëtare të sigurisë GIS dhe agjencinë e brendshme të sigurisë NSS, raporton tabloid Bild.
Sipas gazetës, spiunët egjiptianë mbledhin kryesisht informacione për grupet e opozitës egjiptiane në Gjermani, siç është Vëllazëria Myslimane, por edhe për grupe të tjera si të krishterët koptë.
Deri më tani, është zbuluar pak për atë që i dyshuari në këtë rast mund t’i kishte siguruar Egjiptit, por Bild vëren se ai do të kishte qasje në informacione në lidhje me shtetasit egjiptianë të akredituar nga Zyra Federale e Shtypit.
Gjermania ka pasur disa probleme me spiunazhin vitet e fundit, kryesisht spiunë nga Turqia. Në vitin 2016, u raportua se Turqia kishte rreth 6.000 operativë në Gjermani dhe shumë të tjerë edhe në Austri fqinj.
Më vonë atë vit një spiun turk u arrestua në Hamburg nga Policia Federale Gjermane dhe u akuzua për komplotin për të vrarë disa figura kurde dhe opozitarë të tjera në Gjermani dhe Belgjikë.