Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytje dhe rrëshqitje dheu në Nepal, humbin jetën 23 persona


Të paktën 23 persona kanë vdekur pas përmbytjeve dhe rrëshqitjes masive të dheut në pjesën perëndimore të Nepalit, bënë të ditur zyrtarët e këtij shteti. Për shkak të gjendjes së krijuar, mijëra njerëz janë detyruar të zhvendosen.

Nëntë persona vdiqën dhe mbi 30 të tjerë u zhdukën në distriktin Myagdi, 200 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Kathmandu, ku disa shtëpi u shkatërruan të premten, bëri të ditur administratori i këtij distrikti, Gyan Nath Dhakal.

“Numri i viktimave pritet të rritet pasi shpëtimtarët sapo kishin arritur në zonën e thellë për të kërkuar për trupa të viktimave”, tha Dhakal, duke shtuar se 50 persona janë dërguar në vend të sigurt përmes helikopterëve.

Në distriktin Kaski, shtatë persona vdiqën nga kjo fatkeqësi natyrore, tha një zyrtar tjetër qeveritar në qytezën turistike, Pokhara, shkruan “Reuters”.

Shtatë persona të tjerë vdiqën në distriktin Jajarkot, që shtrihet në skajin perëndimor të shtetit të vogël aziatik.

Rrëshqitjet e dheut dhe vërshimet janë mjaft të shpeshta në shtetin me rajon malor gjatë periudhës qershor-shtator, kur është sezoni i reshjeve.