Vendosni fjalën kyçe....

Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë: Duam drejtësi për vdekjen e minatorit në Martanesh


Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë ka reaguar lidhur me vdekjen e një minatori në galeritë e Martaneshit ditën e djeshme.

Arrestimin e brigadierit të minierës, aktivistët e Lëvisjet Vetëvendosje e konsiderojnë të pamjaftueshme ndërsa theksojnë se problem kryesor për vdekjen e minatorëve janë kushtet e pasigurta të punës.

“Duhen kushte e siguri në punë, minatorët janë vëllezërit tanë

Dje në Martanesh ka humbur jetën në minierë minatori Astrit Xhafa, baba i pesë fëmijëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të shtrenjtë, si dhe të gjithë minatorëve që kanë humbur shokun në minierë.

Mediat kanë njoftuar sot se policia ka ndaluar brigadierin e minierës, pas informacioneve se nuk janë marrë masat e duhura në katet mes galerive ku kryheshin punimet, gjë e cila rezultoi fatale për Astritit Xhafajn. Mirëpo, nuk mund të ketë më shfajësime. institucionet e dinë se ky nuk është aspak rast i izoluar. Para vdekjes së Astrit Xhafajt, 27 minatorë të tjerë kanë humbur jetën në 5 vitet e fundit në minierat e Martaneshit dhe Bulqizës.”– thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje thotë që përgjegjësi për sigurinë në punë mbajnë jo vetëm kompanitë por edhe shteti që duhet t’i kontrollojë vazhdimisht. LV kërkon drejtësi për vdekjen e minatorit ndërsa bën thirrje për organizim.

“Këto vdekje janë pasojë e mungesës së kushteve dhe sigurisë në vendin e punës, të cilat shteti ka për detyrë t’i kontrollojë vazhdimisht e t’i implementojë sipas ligjit. Indiferenca e shtetit është bashkuar me praktikën e egër të privatizuesve që nuk kanë investuar në përmirësim e mirëmbajtje, por vetëm për shfrytëzim të egër e rrjepës. Minierat, në vend që të ishin bekimi i kombit, burim mirëqenie për gjithë Shqipërinë, janë bërë burim pasurimi për një grusht njerëzish pranë pushtetit, dhe burim vdekjeje për ata që punojnë aty.

Kjo është një dhunë e strukturuar, që i vendos njerëzit para zgjedhjes mes papunësisë e varfërisë, apo rrezikimit të jetës në miniera që nuk plotësojnë as kushtet minimale të punës. Zgjedhja mes mjerimit pa punë dhe vdekjes në punë, është skllavëria moderne ku është kapur sot peng minatori shqiptar.

Me dhimbjen për jetën e humbur, kërkojmë drejtësi për vdekjen e Astrit Xhafajt, dhe për punën e çdo minatori. Dhimbjen duhet ta kthejmë në vullnet për të çuar përpara çlirimin e minatorëve nga shpërdoruesit e aseteve publike. Nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se të organizohemi për të sjellë drejtësi e për ta ndalur këtë sistem dhune.” – thuhet në njoftim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *