Vendosni fjalën kyçe....

Aktakuza për Thaçin detyron Ramën të xhirojë 2 herë intervistën me gazetarin kosovar


Ngritja e akuzave ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Haga, është bërë shkak që kryeministri Edi Rama të përsërisë një intervistë, që e kishte xhiruar ditën e djeshme.

Këtë e ka konfirmuar vetë gazetari dhe autori i programit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi. Përmes një postimi në “Facebook”, Kelmendi thotë se dje kishte xhiruar një intervistë të gjatë me kryeministrin Rama, por që pas një ore doli krejtësisht jashtë kontekstit për shkak të lajmit për Thaçin. Kështu ai ra dakord me Ramën që intervistën ta përsëriste e të kthehej sot përsëri në Tiranë.

“Kjo më ka ndodhur për herë të parë për 16 vjet Rubikon – dje e kishim regjistruar një intervistë të gjatë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, e cila një orë më pas doli të ishte jashtë kontekstit, për shkak se publikimi i aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit ndërroi gjithçka. U pajtuam bashkë me Ramën që sot ta bëjmë një intervistë tjetër, për të folur për situatën e re të krijuar. Dhe u ktheva sërish sot në Tiranë.
Nuk e di ende se cila prej këtyre dy intervistave është më e mirë. E djeshmja ishte tepër dinamike, me akuza e kundërakuza – madje edhe mes meje dhe kryeministrit – kjo e sotmja është më e thellë dhe reflektuese. Në fakt, ndoshta do të jetë intervista më e qetë dhe përmbajtësore që ka dhënë Rama viteve të fundit.”– thotë gazetari.

Ai tregon edhe për çfarë ka folur me kryeministrin Edi Rama në intervistën e dytë që do transmetohet mbrëmjen e sotme, ndërsa thotë se intervistën e parë do e transmetojnë në një moment të dytë.

“Në një orë e gjysmë ai flet se përse teksti i aktakuzës është skandaloz; Si duhet t’i përgjigjen Thaçi dhe Veseli aktakuzës; A duhet të japë dorëheqje Thaçi; Kush dhe pse po e fragmentizon politikën shqiptare në dobi të Serbisë; Pse Haradinaj humbi shansin për liberalizim vizash me Macron në Berlin dhe a është penduar për padinë që ia ka bërë; Pse Kurti harroi flamurin kombëtar dhe bashkimin kur hyri në zyrën e kryeministrit; Çka vlerëson te kryeministri Avdullah Hoti; A ka dështuar procesi i dialogut me Serbinë; A do ta organizojë takimin e liderëve gjithëkombëtarë sipas kërkesës së Pacollit… dhe shumë ekskluzivitete të tjera.
Kurse për intervistën e djeshme u dakoruam që ta transmetoj më vonë, në stilin e Kadaresë që boton sot romanet e mbajtura në sirtar me dhjetra vjet.”– thotë Kelmendi.

Ditën e mërkurë, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, njoftoi se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Dy politikanët së bashku me të tjerë, janë të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte si: vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *