Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Hekuran Billës, avokati i Viktor Markut: Ka disa shkelje në arrestimin e tij


Avokati i Viktor Markut, i cili akuzohet për vrasjen e biznesmenit Hekuran Billa, thotë se arrestimi i klientit të tij ka qenë i paligjshëm.

Kjo sepse nuk ka patur asnjë urdhër-ndalimi për të.

Sipas avokatit, Viktor Marku dhe Sebastian Mali (dajë e nip) nuk kanë lidhje me ngjarjen.

“Janë disa shkelje në ndalimin e klientit tim. Janë procedura që i di mirë Policia Gjyqësore. Në relatimin që u bë, nuk konstatohet një urdhër-ndalimi. Kodi parashikon që të ketë urdhër-ndalimi, dhe kjo nuk u konstatua. Kjo ishte A-ja! Janë nip e dajë, nuk kanë lidhje me ngjarjen, policia të gjejë autorët. Sebastian Mali është student i Juridikut, student i shkëlqyer. Ai ka të drejtë që të lëvizje rrugicave, ka shkuar që të blejë gjëra personale.”, pohoi avokati, citon BW.

Vetë Marku i ka mohuar gjithashtu akuzat, duke thënë se ka qenë në Mal të Zi për punë.

Në dëshminë e tij në polici, Marku ka thënë: “Policia të thotë çfarë të dojë, unë s’kam vrarë njeri. Ditën e vrasjes dhe deri kur më arrestuan kam qenë në Mal të Zi. Të gjejnë autorët.”

Marku ka qenë i qetë në prezantimin e parë para trupës gjykuese. Ai ka kërkuar nga kamerat që mos filmohet para nisjes së seancës nga gjyqtari Llazër Sallaku.

Viktor Marku është vëllai i Prel Markut, që u vra nga Hekuran Billa në Angli në tetor të vitit 2006, ngjarje për të cilën Billa u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatat britanike dënim i konvertuar me 25 vite sipas legjislacionit shqiptar.

Prokuroria dyshon se Viktor Marku shfaqet në një moment në kamera teksa zbret nga makina ‘Smart’ marrë me qira dhe ngjitet në automjetin ‘Mercedez Benz’ i vjedhur në Shkodër që u përdor në atentat.

Prokuroria thotë se në makinë është ngjitur dhe një person i dytë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *