Vendosni fjalën kyçe....

Lejet e ndërtimit gjallërohen në Tiranë pas tkurrjes nga tërmeti, aspak interes për Durrësin


Në tre muajt e parë të vitit është rikthyer interesi për ndërtime në Tiranë, pas një tkurrjeje të fortë që shënoi në muajt e fundit të 2019-s, pas tërmetit me pasoja të rënda, që goditi sidomos Durrësin dhe Tiranën.

INSTAT raportoi se në tremujorin e parë të këtij viti u dha leje ndërtimi për një sippërfaqe prej 293 mijë metra katror, pothuajse dyfishim në raport me tremujorin e fundit 2019.

Gjithsesi sipërfaqja e dhënë për leje në kryeqytet në muajt e parë është shumë më e ulët se në të njëjtën periudhë të 2019-s (shiko grafikun)

Ndryshe ka qenë situata për Durrësin, ku sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhënë në tremujorin e parë ka qenë minimale, ne vetëm rreth 9 mijë metra katror.

Sipas INSTAT, Tiranë, më 02 Qershor 2020: Në tremujorin e parë 2020 janë miratuar gjithsej 184 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 245 leje të miratuara në tremujorin e parë 2019, duke shënuar një rënie prej 24,9 %.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2020, është 333.645 m2, nga 581.236 m2  miratuar në tremujorin e parë 2019, duke shënuar një rënie prej 42,6 %.

Në tremujorin e parë 2020, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 13,4 miliardë lekë, nga 25,2 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2019, duke shënuar një rënie prej 47,0 %.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor