Vendosni fjalën kyçe....

Theu karantinën për të shkuar në festë dhe u infektua, princi belg kërkon falje publike


Princi belg që u infektua me koronavirus pasi mori pjesë në një festë gjatë bllokimit në Spanjë, ka kërkuar falje dhe thotë se “do të pranojë pasojat”.

“Unë jam thellësisht i penduar për veprimet e mia”– tha princi Joachim në një deklaratë të dielën, citon BBC.

28-vjeçari udhëtoi nga Belgjika në Spanjë për një stazh në datën 26 maj, por duke shkelur rregullat e karantinës shkoi në një festë dy ditë më vonë në qytetin jugor të Kordoba-s, ku qëndronte e dashura e tij.

Sipas mediave spanjolle, nipi i mbretit Philipe të Belgjikës ishte në mesin e 27 personave në festë.

“Kërkoj falje për mosrespektimin e të gjitha masave të karantinës gjatë udhëtimit tim. Në këto periudha të vështira nuk kam dashur të ofendoj askënd”– thuhet në deklaratën e princit.

Rregullat e bllokimit të Kordoba-s lejojnë jo më shumë se 15 vetë në tubime. Policia spanjolle ka nisur një hetim për festën në fjalë. Ata që zbulohen se kanë thyer rregullat e bllokimit mund të gjobiten deri në 10,000 euro.

Të gjithë ata që morën pjesë në festë thuhet se janë në karantinë. Princi Joachim, i cili është i 10-ti në radhë për fronin belg, thuhet se ka simptoma të buta të koronavirusit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *